Projektet për Durrësin, Duma: Tregje, merkata e peshkut dhe lunaparku

29/05/2015 00:00

Kandidatja e opozitës për Bashkinë e Durrësit, Grida Duma bashkëbisedoi me gratë e fshatit Kullë në Sukth mbi projektet e bashkisë së re.

Duma tha se do të ndërtojë tre tregje të mëdha bujqësore, çka do të mundësojnë shitjen shpejt dhe me çmim më të lartë të produkteve të fermerëve në këtë zonë, që bujqësinë e kanë prioritet.

Projekti i saj përfshin edhe ndërtimin e portit dhe merkatës së peshkut, si dhe një lunapark që do të ndërtohen pranë komunave dhe jo në bregdet.

“Kushdo që më pyet se cilat do jenë projektet e mëdha të Durrësit, unë i them se do ketë vepra të mëdha si merkata e peshkut dhe porti i peshkimit, që do të rehabilitohen plotësisht. Ashtu siç do ketë në anën veriore projektin e një lunaparku, pra një kënd i madh që do të jetë atraktiv. Nuk do të jetë në bregdet, por në pjesën e komunave. Ashtu siç do të jenë projekte tre tregje të mëdha të produkteve bujqësore dhe frigoriferike, që do të krijojnë aksesin dhe hyrjen e produkteve në tregjet e mëdha, sidomos në atë të Durrësit”, tha Duma.

Kandidatja foli edhe për jetën në komunitet, si shkollat, këndet sportive, transportin publik dhe rregullimin e rrugës në këtë fshat.

Top Channel