
PDIU ka hapur pasditen e kësaj të premteje fushatën elektorale në Durrës, në një event ku kryetari Shpëtim Idrizi ka vlerësuar aleancën e bërë me koalicionin e mazhorancës, e cila sipas tij ka seriozisht në vëmendje çështjen çame.
“Ne jemi parti sovrane dhe shqiptarët i duam njësoj, nga veriu në jug. Ne duam që çështja came të vlerësohet dhe mirëpresim faktin që sot Kuvendi ka një nënkryetar nga PDIU. Ne nuk mund të bëheshim me një koalicion tjetër, pasi vetëm kjo qeveri e ka në fokus çështjen çame, që nuk është çështje vetëm e këtij komuniteti, por e gjithë shqiptarëve sepse ka të bëjë me hartën e Shqipërisë”, ka thënë Idrizi.
Idrizi ka reaguar edhe ndaj qëndrimeve të Athinës zyrtare në adresë të tij, duke hedhur poshtë akuzat për nacionalizëm.
“Unë nuk jam nacionalist. Nacionalistët janë në Parlamentin e Greqisë, në Parlamentin e Shqipërisë janë ata që kanë luftuar kundër bandave të kolonelit Zerve”, ka thënë Idrizi.
Në fund, kryetari i PDIU-së u ka kërkuar të pranishëmve që më 21 qershor të votojnë kandidatin e majtë Vangjush Dako, ndërsa PDIU, sipas tij, do të japë kontributin në Këshillin Bashkiak të Durrësit.
Top Channel