
Halim Kosova e di që Tirana nuk mund të bëhet në 4 vjet, por duke bërë pjesë të punës së bashkisë projektet e artistëve, urbanistëve dhe arkitektëve të qytetit, ai beson se në 4 vitet e ardhshme në Tiranë do të rritet cilësia e jetës dhe e shërbimeve.
Doktor Kosova siguron se bashkëpunimi në çdo formë me qytetarët do të vazhdojë të jetë mënyra e tij e punës edhe në bashki.
“Të jemi të gjithë bashkë për qytetin, duke propozuar projekte konkrete për zonat ku banoni”, u tha Kosova të pranishëmve në takimin elektoral të radhës.
Në programin e Halim Kosovës është parashikuar financimi i 300 projekteve kulturore artistike, krijimi i mundësive për ekspozimin e punëve, përdorimi i teatrit të metropolit nga artistët e rinj.
Kompozitori Agim Krajka i dha një këshillë të vlefshme kandidatit demokrat. “Të lutem të mos lihet arti mbrapa. Pasaporta jonë është gjuha dhe kultura. Njeriu kur nuk di nga ka ardhur nuk di ku të shkojë”, tha Krajka.
Duke harmonizuar përvojën e profesionistëve me pasionin e të rinjve, Halim Kosova beson se do të konkretizojë projektitn e tij për një Tiranë miqësore me qytetarët e vet.
“Qëllimi kryesor i bashkisë së ardhshme do të jetë që me ndihmën tuaj ta kthejmë Tiranën në një qytet miqësor”, vijoi Kosova në fjalën e tij.
Top Channel