Idrizi prezanton programin e PDIU-së në Tiranë

29/05/2015 00:00

Kreu i PDIU-së, Shpëtim Idrizi ka nisur fushatën zgjedhore në Tiranë. I shoqëruar nga kryesuesit e listës për këshillin bashkiak të kryeqytetit, Vjollca Braho dhe Arjan Çukaj, ndalesa e parë ka qenë në zonën “Ali Demi”.

Z. Idrizi prezantoi programin e PDIU-së për pushtetin vendor, ku vuri theksin tek ndryshimet që duhet të pësojë Tirana.

“Tirana ka nevojë jo vetëm të zgjerohet, ka nevojë që jo vetëm të ketë një sinergji nga periferia në qytet, por ka nevojë të ruajë edhe identitetin e saj. Ta ruajë edhe Pazarin e Ri, edhe Medresenë, edhe sheshet e vjetra apo lagjen e Tabakëve me Urën e saj, pra të ruajë identitetin e saj prej tiransi, akoma më shumë që qytetarët e Tiranës kanë qenë qytetarët më mikpritës, më zemër dhe dyer hapur për të gjithë shqiptarët, ngado që ata kanë ardhur”, tha Idrizi.

Kreu i PDIU-së përmendi themelin e programit të Partisë për Drejtësi, Integrim dhe Unitet, si një parti politike patriotike. “Ne vijmë nga një vokacion kombëtarist e patriotik, sepse mendojmë që në radhë të parë ne duhet të duam njëri-tjetrin, duhet të jemi krenarë për identitetin tonë kombëtar, duhet të jemi krenarë si shqiptarë. Prandaj, PDIU ka sloganin e saj: ‘Unë e dua Shqipërinë’. Nuk është thjeshtë një frazë e zakonshme, por PDIU e ka shumë të rëndësishme sinergjinë, dashurinë, bashkëjetesën që ne duhet të kemi midis njëri-tjetrit”, vijoi Idrizi.

Kryetari i PDIU-së bëri thirrje që të votohet numri 34 dhe shprehu bindjen se më 21 Qershor, Partia për Drejtësi, Integrim dhe Unitet do të katërfishojë votat e saj në të gjithë Shqipërinë.

Top Channel