Vizita e Vuçiç, raportet e reja Shqipëri-Serbi dhe lënia pas e së shkuarës

28/05/2015 00:00

Sokol Gjoka, diplomat i njohur, Drejtori i Përgjithshëm Politik në Ministrinë e Punëve të Jashtme, ishte i ftuar në “Revistën Televizive të Mbrëmjes”, ku foli mbi vizitën e Kryeministrit të Serbisë në Tiranë dhe për raportet e reja pas kësaj vizite midis dy vendeve.

Gjithashtu zoti Gjoka foli edhe për samitin Ekonomik, i cili do të mbahet gjatë ditës së sotme në Tiranë, me pjesëmarrjen e kryeministrave të shteteve të Ballkanit Perëndimor.

***

Pandi Gjata: Çfarë solli vizitë e Vuçiç në raportet e reja mes dy vendeve?

Sokol Gjoka: Vizita e Vuçiç në Tiranë realizohet mbas vizitës së vitit të kaluar të Kryeministrit Rama në Beograd, e cila u cilësua si shumë e rëndësishme duke thyer akujt në marrëdhëniet mes dy vendeve, ndërsa vizita e Vuçiç në Tiranë i çoi më tej marrëdhëniet. Vizita e Kryeministrit të Serbisë përcolli disa mesazhe. E para, trendin e marrëdhënieve tona dypalëshe me një perspektivë drejt së ardhmes duke lënë mbrapa të shkuarën. Kjo vizitë nxit ecurinë e projekteve rajonale. Gjithashtu marrëdhëniet tona me Serbinë janë shumë të rëndësishme për stabilitetin e rajonit dhe nga ana tjetër është ecja në rrugën e proceseve të integrimeve europiane dhe euroatlantike.

Pandi Gjata: Raporti shqiptaro-serb ka vuajtur për vizitat e kryeministrave apo përfaqësuesve të të dy vendeve. Tashmë është thyer akulli pas këtyre dy vizitave. Ata zotohen për nisjen e një ere të re, por a është reale kjo në marrëdhëniet mes dy vendeve?

Sokol Gjoka: Unë mendoj se kjo erë e re marrëdhëniesh është reale dhe tashmë është e konkretizuar në disa fusha bashkëpunimi, por natyrisht që kërkohet të bëhet shumë më tepër. Megjithatë shkëmbime vizitash të niveleve të larta realizohen pas dekadave të tëra dhe pikërisht ato shprehin vullnetin politik të dy vendeve tona, por nga ana tjetër shprehin edhe perspektivën e europiane. Realizimi i këtyre vizitave shoqërohet edhe me realizimin e marrëveshjeve përkatëse. Në këtë kuadër janë realizuar disa marrëveshje, si në vizitën e Kryeministrit Rama në Beograd, por edhe aktualisht. Midis dy kryeministrave është rënë dakord për memorandumin e mirëkuptimit në fushën e bashkëpunimit rinor. Aktualisht u fol edhe për marrëveshjen e njohjes reciproke të diplomave dhe veçanërisht për lëvizjen e qytetarëve të dy vendeve tona me karta identiteti në vendet respektive. Natyrisht që janë edhe një grup tjetër marrëveshjes që pritet të diskutohen më tej. Një aspekt tjetër, përveç kontakteve politike, tashmë ka një ftesë edhe në fushën e bashkëpunimit ndërparlamentar e cila do të realizohet në vazhdim. Nga ana tjetër është edhe bashkëpunimi ekonomiko-tregtar, ku potencialet tona flasin për më shumë hapësira për të nxitur më tej bashkëpunimin ekonomiko-tregtar. Tani kemi rreth 180 milionë euro shkëmbime në vit. Në krahasim me vitin 2013, viti 2014 ka realizuar një rritje të këtyre shkëmbimeve në të dy krahët.

Pandi Gjata: Zoti Rama shtroi edhe një herë kërkesën si në Beograd për të drejta të barabarta të shqiptarëve të Luginës së Preshevës. A besoni se kjo do të përkthehet në lëvizje konkrete nga ana e qeverisë së Beogradit?

Sokol Gjoka: Është e vërtetë që nja nga pikat e dosjes me Serbinë është edhe trajtimi i popullsisë shqiptare në Luginën e Preshevës. Vizita që Kryeministri Rama bëri vitin e kaluar në Luginën e Preshevës u konkretizua në interesat që paraqet vendi jonë për popullsinë shqiptare kudo ndodhet. Edhe në rastin konkret interesimi jonë në raport me popullsinë shqiptare në Luginën e Preshevës ka qenë dhe është i vazhdueshëm. Ai konsiston në realizimin e 7 pikave që ekzistojnë si pika bashkëpunimi midis komunitetit të shqiptarëve të Luginës së Preshevës me qeverinë qendrore serbe dhe njëkohësisht për një përfaqësim shumë herë më të mirë të shqiptarëve si në institucionet e pushtetit vendor, por edhe në ato të pushtetit qendror, gjithashtu edhe në tërheqjen e investimeve serbe dhe të huaja në Luginën e Preshevës. Edhe procesi i njohjes reciproke të diplomave…

Pandi Gjata: Kur mund të nisë konkretisht kjo çështje pasi ka shumë interes, sidomos nga shqiptarët e Luginës së Preshevës?

Sokol Gjoka: Me këtë jemi marrë për një kohë të gjatë. Pritej që kjo marrëveshje të realizohej përpara vizitës së Kryeministrit Rama në Serbi, por kjo nuk ndodhi. Megjithatë ne kemi qenë në kontakt të vazhdueshëm me palën serbe dhe tashmë jemi në procesin e finalizimit të kësaj marrëveshje. Mendohet që kjo marrëveshje të mbyllet së shpejti dhe natyrisht t’u japi hapësira edhe atyre studentëve që kanë studiuar në universitetet shqiptare.

Pandi Gjata: A mendohet të nënshkruhet brenda këtij viti?

Sokol Gjoka: Unë mendoj se do të nënshkruhet brenda këtij viti, por kam përshtypjen që do të ndodhë brenda vjeshtës.

***

Pandi Gjata: Zoti Gjoka, sot në Tiranë mbahet edhe samiti rajonal i kryeministrave që morën pjesë në takimin e muajve më parë me zonjën Merkel. Një proces i nisur në Berlin dhe që do të pasohet në Vjenë. Takimi i Tiranës është në mesin e kësaj rruge nga Berlini në Vjenë. A kemi një bilanc në kuadër të këtij bashkëpunimi të ri rajonal për të ecur së bashku në rrugën europiane, por edhe për projekte të përbashkëta?

Sokol Gjoka: Samiti që do të zhvillohet sot në Tiranë, i cili quhet Forumi Ekonomik i Vjenës është një aktivitet që zhvillohet në prag të Konferencës së Vjenës, e cila do të zhvillohet më 27 gusht. Kjo është vazhda e konferencës së Berlinit dhe ajo që është vënë re nga Konferenca e Berlinit deri te samiti i Tiranës është bashkëpunimi i të gjitha vendeve të rajonit në një emërues të përbashkët, veçanërisht për ndërlidhjen infrastrukturore, ndërlidhjen energjetike. Serbia dhe Shqipëria, në projekte të veçanta të mbështetura edhe nga Kosova dhe Mali i Zi, kanë realizuar projekte rajonale të përbashkëta dhe aktualisht është përgatitur rrjeti qendror i këtyre projekteve, me të cilat kryeministrat e të gjitha vendeve të rajonit u prezantuan në Bruksel. Këto projekte janë cilësuar si shumë të rëndësishme sepse janë për ndërlidhje infrastrukturore, rrugore, hekurudhore, energjetike dhe portuale. Gjithashtu këto projekte shtrihen edhe në fushën akademike dhe rinore, të cilat do t’i sjellin shumë më afër vendet tona. Rajoni, përveçse një përkatësi gjeografike, do të ketë edhe një përkatësi ekonomike, ku kryeqytetet e vendeve arrihen shumë më shpejt, në krahasim me kryeqytetet europiane. Ne aktualisht shkojmë më shpejt në Romë apo në Vjenë se sa të shkojmë në Sarajevë apo në Shkup. Kjo më pas do të sjellë edhe bashkëpunimin ekonomik, komunikimin midis njerëzve dhe natyrisht politika më të qëndrueshme dhe më paqësore.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB