Reforma në drejtësi, Naço: Presidenti, jo më kryetar i KLD-së

28/05/2015 00:00

Është dashur takimi në Konferencën e 10 të rrjetit ballkanik të Këshillave Gjyqësore që Presidenti Bujar Nishani dhe ministri i Drejtësisë Nasip Naço të shfaqin hapur mendimet e tyre të ndryshme për shënjestrat se ku duhet orientuar reforma në drejtësi.

Për ministrin e Drejtësisë Nasip Naço, që drejtësia të hyjë në shinat e duhura, drejtimi i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, duhet t’i kalojë kreut të Gjykatës së Lartë.

“Sigurisht që këto ndryshime të nevojshme dhe imediate nuk ishin reforma e kërkuar, pasi KLD si institucion kryesor i menaxhimit të funksionimit të sistemit gjyqësor është pjesë e axhendës së reformimit të thellë, reformë kjo e cila mund të kërkojë dhe ndryshime kushtetuese, ku mund të jetë vendi për të rivlerësuar; pjesëmarrjen në këtë organizëm të Presidentit të Republikës si Kryetar i KLD-së dhe duke ja kaluar këto kompetenca Kryetarit të Gjykatës së Lartë, Vlerësimin e mundësisë që Ministri i Drejtësisë të mos jetë anëtar i KLD; Rolin e Inspektoritatit të Ministrisë së Drejtësisë , apo funksioneve që këto institucione duhet të kenë brenda këtij këshilli. Në gjendjen aktuale, reformimi i plotë dhe i thellë i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, është domosdoshmëri”, tha Naço.

Por Presidenti në rolin e kreut të Këshillit të Lartë të Drejtësisë mendon se reforma ka dy sfida, të parën ruajtjen e pavarësisë dhe të dytën luftën ndaj korrupsionit. Ndërkohë që mënyra si funksionon KLD është e rregulluar me Kushtetutë nënvizoi presidenti.

“Frymën e korporatës apo vetëqeverisjes në KLD, kushtetutë-bërësi e ka futur me qëllim të caktuar, për ta bërë gjykatën të pavarur nga ndërhyrjet e legjislativit dhe të ekzekutivit. Por, në një shoqëri demokratike, marrëdhëniet midis autoritetit politik dhe atij gjyqësor jo rrallë krijojnë probleme dhe përplasje. Ato janë akoma më të mprehta dhe krijojnë konflikte në një shoqëri që ndodhet në fillimet e proceseve demokratike apo në tranzicion. Secili nga këto autoritete siç e thashë dhe më lart, ka pushtetin e vet origjinal dhe në praktikë shpesh është e vështirë të përcaktosh sferat e kompetencave të tyre dhe kufijtë ndarës. Me siguri mund të thuhet që është autoriteti politik ai që me ligj përcakton statusin juridik të gjyqtarëve. Nga ana tjetër, janë gjyqtarët që mbikëqyrin respektimin dhe zbatimin e ligjit”, tha presidenti Bujar Nishani.

“Sigurisht që pushteti gjyqësor është dhe duhet të jetë i pavarur po njëkohësisht dhe bashkëpunues me pushtetet e tjera në mënyrë që të arrijë objektivat që ngarkohen nga Kushtetuta”, tha Kreu i Gjykatës së Lartë, Xhezair Zaganjori.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB