Komisariati Dixhital, 1930 denoncime për 15 ditë

28/05/2015 00:00

Kanë kaluar 15 ditë që nga prezantimi i aplikacionit “Komisariati Dixhital” nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe numri i denoncimeve ka shkuar në 1930. Në sallën e monitorimit në Drejtorinë e Policisë Tiranë, mbërrijnë çdo ditë me dhjetëra denoncime për problematika të ndryshme, kryesisht për parkime të gabuara.

Në një intervistë për programin e mëngjesit “Wake Up”, Adrit Goxhaj, specialist në Komisariatin Dixhital thotë: “Ankesat më të shumta të qytetarëve janë për parkimet e gabuara, por nuk ngelen pas denoncimet për ndërtimet pa leje, vjedhje apo për korrupsion. Kemi një mesatare ditore prej 130 raportimesh, çka përgjatë këtyre 15 ditëve e çon numrin e denoncimeve në 1930. Fluksi më i madh është në mëngjes, pasditeve por nuk mungojnë raportimet edhe pas darkës, që kryesisht fokusohen tek ndotja akustike”.

I pyetur mbi qytetet që denoncojnë më shumë në këtë aplikacion, Goxhaj ka thënë: “Fluksin më të madh të denoncimeve e ka Tirana, më pas vjen Durrësi, Elbasani, Shkodra etj.”.

Sipas Goxhaj, që nga mbërritja e shqetësimit në Komisariatin Dixhital, koha e reagimit të patrullave të policisë është nga dy deri në gjashtë minuta, në varësi të vendndodhjes së raportimit. Ai i bën thirrje qytetarëve që të bashkëpunojnë me Policinë përmes këtij aplikacioni, që mund të shkarkohet në Play Store për telefonat Android.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB