Has, prezantohet kandidati i ASHE për bashkinë

28/05/2015 00:00

Aleanca për Shqipërinë Evropiane prezantoi kandidatin e ASHE për kryetar të Bashkisë së Hasit, Adem Lala. Takimi u zhvillua në kinemanë e qytetit, ku mori pjesë edhe ministri i Financave Shkëlqim Cani, i shoqëruar nga deputeti i Kukësit Vebi Muçmataj dhe kryetari aktual i bashkisë, Liman Morina.

Fjalën e hapjes e mbajti deputeti Muçmataj, i cili shprehu bindjen se elektorati do të votojë më 21 qershor kandidatin e majtë, për të vijuar rrugën në drejtimin e duhur.

Vetë kandidati Lala, pasi evidentoi problematikat kryesore me të cilat përballet Hasi, si ndërtimi i ujësjellësit të qytetit, mungesa e kanaleve vaditëse për ujitjen e tokave, etj, premtoi se me marrjen e votave për kryebashkiak dhe me mbështetjen e qeverisë Rama do të bëjë realitet zgjidhjen e këtyre problemeve.

Ndërsa ministri Shkëlqim Cani ndër të tjera tha se, “unë për Hasin nuk do të jem as ministër i Financave dhe as deputet, por ju premtoj se do të jem një ushtar për Hasin dhe hasjanët, ashtu si dhe për Dibrën, Bulqizën dhe Matin”.

Ai garantoi banorët edhe për mbështetjen që ata do të kenë nga kryeministri Rama. Në mbyllje të këtij aktiviteti u mbajt edhe një koncert për të pranishmit nga Qendra Kulturore e Hasit.

Top Channel