Halim Kosova: Ulja e taksave nxit punësimin

28/05/2015 00:00

Ulja e taksave me 30 përqind dhe rritja e fondit të garancisë nga 5 milion euro që është aktualisht në 15 mln euro janë dy prej masave nxitëse në programin e Halim Kosovës për punësimin.

Duke bërë llogaritë sa do të kursejë një biznes i madh, që aktualisht paguan 70 mijë euro taksë për pronën, Halim Kosova tha edhe kushtin sesi biznesi i madh do ta përfitojë këtë.

“Në qoftë se Bashkia e Tiranës i ofron këtij biznesi rreth 30% zbritje të kësaj takse, vetëm të kësaj takse do të thotë rreth I7.000 euro, do të jetë mundësi për këtë firmë që ta përdorë për vende të reja pune dhe kjo do të jetë kontrata që Bashkia e Tiranës do të bëjë me biznesin e madh”, tha Kosova.

Halim Kosova tha se çështja e punësimit zgjidhet me të tilla propozime konkrete dhe jo me propoganda apo inaugurime zyrash. Prandaj, kandidati i opozitës beson se çdo banor i Tiranës do t’i japë rëndësinë e duhur votës më 21 qershor, pa iu nënshtruar presioneve apo joshjeve me para.

“E dinë vetë se çfarë bëjnë njerëzit, por në qoftë se hallexhiu do të mendoje të gjeje një zgjidhje për një ditë ose për dy ditë pavarësisht që është i stërmbytyr nga hallet, kjo nuk është zgjidhja që vendi kërkon në vazhdimësi. Le të mblidhemi të gjithë bashkë, gjykojeni vetë ku keni besim që të mendojmë se çfarë do të bëjmë për 4 vjet dhe jo për një ditë,2 ditë apo për një javë. Këtë e keni në dorë ju”, tha Kosova.

Top Channel