
Zv.ministrja e Punëve të Brendshme, Elona Gjebrea Hoxha, mori pjesë në takimin e Komitetit të Sigurisë së OSBE-së në Vjenë, ku informoi 57 shtetet pjesëmarrëse të OSBE-së për progresin dhe hapat e kryer nga qeveria shqiptare në luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm dhe zbatimin e deklaratës 5/14 të Ministerialit të Bazelit, në kontekstin e zbatimit të rezolutave të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
Zv.ministrja e Brendshme informoi gjithashtu Komitetin mbi zhvillimin me sukses në Tiranë të samitit rajonal kundër ekstremizmit të dhunshëm dhe mbi përpjekjet e qeverisë shqiptare për të forcuar koordinimin rajonal, si dhe për të parandaluar e luftuar këtë fenomen.
Znj. Gjebrea nënvizoi progresin e arritur nga institucionet dhe agjencitë ligjzbatuese shqiptare në luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm, duke thekuar përpjekjet në plotësimin e angazhimeve dhe detyrimeve që rrjedhin nga konventat ndërkombëtare të OKB-së, Këshillit të Europës, OSBE-së.
Ajo vuri në dukje hapat e ndërmarrë në forcimin e partneritetit me shoqërinë civile dhe komunitetet fetare, si dhe strategjinë kombëtare dhe planin e aksionit për luftën kundër terrorizmit dhe përmirësimin e bazës ligjore, forcimin apo intensifikimin e bashkëpunimit ndërkombëtar.
Shtetet pjesëmarrëse të OSBE-së dhe, në mënyrë të veçantë BE dhe SHBA, vlerësuan kontributin e Shqipërisë në luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm dhe organizimin e samitit rajonal dhe ofruan mbështetje e bashkëpunim në luftën kundër terrorizmit.
Top Channel