Vuçiç në Tiranë mes simbolesh; Nga ngjyrat e paqes me Ramën, te tabloja me Isa Boletinin me Metën

27/05/2015 00:00

Një vizitë si ajo e Aleksandër Vuçiç në Tiranë, nuk mund të zhvillohej pa kaluar në lupën e detajeve, që veçanërisht në një marrëdhënie si ajo shqiptaro – serbe, janë po aq të rëndësishme sa fjalët.

Vëmendja më e madhe u përqendrua tek takimi më i rëndësishëm i kryeministrit serb në Tiranë, ai me Edi Ramën, ku edhe protokolli shqiptar ka qenë gjithashtu shumë herë më i kujdesshëm për çdo element ndaj të cilit mund të kishte pasur reagime.

Asgjë përveç flamujve kombëtarë respektivë nuk ka pasur në takimin dypalësh Rama–Vuçiç apo takimin mes dy delegacioneve. Të vetmet elemente të tjera kanë qenë disa lule të bardha dhe të kuqe në tryezën e takimit apo si dekorime përreth saj, që në këtë rast marrin edhe simbolikën e reflektimit të një takimi të qetë mes Ramës dhe Vuçiç, përkundër takimit të tensionuar në Beograd.

Kjo u konfirmua edhe në konferencën për shtyp të dy kryeministrave, ku edhe për ambientin e zgjedhur, që ishte “Pallati i Brigadave”,  njohur ndryshe si ish-Pallati i Mbretit, kryeministri Rama u kujdes ta sqaronte se pritja u bë në këtë ambient për shkak të rikonstruksionit të katit të parë të Kryeministrisë.

Por shumë pak do ta kishin menduar se në takimin tjetër, atë me kryetarin e Kuvendit, Ilir Meta, Aleksandër Vuçiç do të pritej në sallën ku është vendosur piktura me tematikën e rrugëtimit të luftëtarit nga Mitrovica, Isa Boletini drejt Vlorës për shpalljen e Pavarësisë.

Në këtë sallë, në fakt, bën të gjitha pritjet kryetari i Kuvendit, me të njëjtën pikturë në sfond, siç konfirmon edhe takimi i mëhershëm me presidentin turk. Por mesa duket, për shkak të kontrastit të Isa Boletinit në këtë pikturë dhe kryeministrit serb në sallë, shumë e kanë vënë re vetëm në këtë takim praninë e kësaj pikture, duke e komentuar madje në rrjetet sociale si “droni radhës”, për një element, që ndoshta vetë kreu i Qeverisë serbe nuk e ka vënë re dhe që për më tepër ka qenë përherë aty.

Simbolika bëhet edhe më e fortë nëse i shtojmë në këtë rast edhe debatet e javëve të fundit, që morën zgjidhje vetëm 24 orë më parë për se ku do të varrosej Isa Boletini, me vendimin për varrimin në Mitrovicen e Veriut, e ku si gjithmonë, në Ballkan, varret e heronjve shpeshherë simbolizojnë edhe kufijtë.

Jo pak efekt kanë pasur edhe gotat dhe pjatat e Pallatit të Brigadave, të shënuara me simbolin kombëtar të Shqiponjës, fotot e të cilave kanë bërë gjithashtu xhiron në rrjetet sociale. Por me këtë set, që daton që nga koha e Ahmet Zogut, u është shërbyer të gjithë kryetarëve të shteteve apo qeverish, që kanë ardhur në Shqipëri për vizitë zyrtare.

Por vetëm në rastin e kryeministrit serb, ato tërhoqën vëmendjen në serinë e elementeve të tjera kombëtare, duke konfirmuar jo vetëm për peshën e simboleve kombëtare, por edhe marrëdheniet delikate mes dy shteteve që për dekada janë përplasur në konflikte edhe për shkak të simboleve kombëtare.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB