
Kryeministri Edi Rama dhe kandidati i së majtës për Bashkinë e Beratit janë takuar me banorët, duke premtuar rritje të ekonomisë familjare, për shkak të zhvillimit të turizmit në qyetin e gurtë.
Deri më tani, në sajë të investimeve të bëra, numri i vizitorëve është rritur me 40%, por në 4 vitet e ardhshme – tha Rama, – do të rritet edhe më shumë.
“Unë ju siguroj se brenda 4 viteve të qeverisjes së re vendore, Berati do të jetë një vend i transformuar tërëisisht për nga pikëpamja ekonomike; e ekonomisë së vogël familjare; sepse numri i vizitorëve dhe turistëve në Berat do të shumëfishohet vit pas viti dhe ju do të jeni dëshmitarë, siç edhe ka filluar. Tani edhe rruga është në përfundim, megjithëse kemi edhe një projekt tjetër për rrugën, ai i gjelbërimit të saj. Nuk do ta lëmë vetëm me kaq, sepse duhet bërë një rrugë turistike”, u shpreh kryeministri Rama.
Kryeministri tha se, bashkive do t’u kalojnë disa përgjegjësi, që kanë të bëjnë me administrimin e sistemit të ujitjes dhe kullimit, që deri më tani ka qenë përgjegjësi e qeverisë.
Bashkia e Beratit do të ketë sistemin e vetë të ujësjellësit, që do të administrohet drejtpërdrejt nga kryetari dhe bordi i Bashkisë.
Pas takimit me banorët, kryeminsitri Rama është ndalur në një fabrikë të prodhimit të këpucëve, ku ka siguruar mbështetjen e qeverisë për të arritur, që jo vetëm disa procese, por i gjithë cikli i prodhimit të këpucëve të realizohet në Shqipëri.
“Gjithë sfida është të kalojmë nga faza e gjysmë të gatshmeve që vijnë nga jashtë, por për t’i bërë brenda. Qeveria do të mbështesë të gjitha ata si ju, të cilët janë gati ta bëjnë këtë kapërcim, dhe bashkëngjitja e shkollave profesionale me këto sipërmarrje është pjesë e programit tonë. Në bashkëpunim me bashkinë e re, ne do të identifikojmë edhe vendin, dhe do të bashkëpunojmë përmes Ministrisë së Mirëqenies për të ndërtuar shkollën profesionale, ku 50% e kohës do të kalohet në shkollë dhe 50% në ndërmarrje”, theksoi kryeministri Rama.
Top Channel