Mbahet forumi i biznesit Shqipëri-Serbi, angazhim për projektet rajonale

27/05/2015 00:00

Është mbajtur pasditen e së mërkurës në Tiranë forumi i biznesit Shqipëri-Serbi, ku figurat më të spikatura kanë qenë kryeministrat e dy vendeve, Edi Rama dhe Aleksandar Vuçiç.

Politikani austriak, Erhard Busek, koordinator i Nismës së Kooperacionit mes Vendeve të Ballkanit, në fjalën e tij ka vlerësuar nismën e ndërmarrë nga dy krerët e qeverive për mundësimin e këtij takimi.

Ai ka theksuar se takimi i sotëm është i rëndësishëm për çuarjen përpara të projekteve të investimeve në infrastrukturën rajonale, për të cilat u ra dakord në konferencën e Berlinit.

Ndërsa kryeministri Edi Rama, në fjalën e tij ka falenderuar pjesëmarrësit, si dhe partnerët ndërkombëtarë që kanë qenë nismëtarë të projekteve rajonale.

Ndër të tjera, ai ka shprehur vullnetin që së bashku me liderët e tjertë të vendeve të Ballkanit të lënë pas të shkuarën problematike, që e bënin rajonin të identifikohej, siç tha ai, një fuçi baruti.

Top Channel