
Kandidatja e Partisë Demokratike për Bashkinë e Durrësit, Grida Duma, bashkëbisedoi me fermerët e Rrushkullit dhe Perlatit në Sukth, duke ndarë me ta planin afatgjatë për zhvillimin e bujqësisë me mbështetjen direkt nga bashkia.
Banorët kërkuan mbështetjen e Dumës që produket e tyre të shiten shpejt dhe me çmime më të mira. Zonja Duma tha se krahas ndërhyrjes në infrastrukturën bujqësore në vaditje, rrugë e tregje, bashkia do të bëhet palët direkt me fermerët duke financuar projektet e tyre.
“Punësimin do e nisim nga gjëra të thjeshta. Jo nga premtime si ato që dëgjova para pak ditësh se ai fermer që investon 1 milion euro do të ketë lehtësira në taksa. Lehtësirat nuk do të ndodhin këtu se këtu nuk i ka njeri 1 milion euro dhe mua nuk më rezulton. Do të hapim mundësi që produkti bujqësor i juaji të shitet. Që t’ia vlejë të merresh me bujqësi, sepse kush merret sot me bujqësi bën vetësakrifikim. Do të krijojmë fondin e garancisë për prodhimin bujqësor dhe nga 20-30% bashkia do të marrë pjesë në financimin e projekteve bujqësore. Tre tregje të mëdha grumbullimi dhe një pikë frigoriferike për produktet tuaja”, tha kandidatja e djathtë.
Top Channel