
Gjergj Bojaxhi ka prezantuar, në një takim me mbështetës e qytetarë të kryeqytetit, vizionin e tij për Tiranën. Për kandidatin e pavarur, mirëqeverisja nis nga përzgjedhja e burimeve njerëzore, mbi bazë meritokracie dhe larg militantizmit të partive politike.
“Për këtë arsye, jo vetëm punonjësit e thjeshtë të bashkisë, jo vetëm drejtorët, por edhe nënkryetari i Bashkisë duhet të zgjidhet me konkurs. Ata që do të jenë nënkryetarë apo nënkryetare të Bashkisë, por edhe të gjithë ata qytetarë të Tiranës që e ndiejnë veten të aftë, duhet të aplikojnë dhe do të kenë mundësinë të përzgjidhen për të pasur këto role”, tha Bojaxhi.
Rezultati i përzgjedhjes së atyre që i shërbejnë kryeqytetit mbi baza partiake, sipas zotit Bojaxhi, është shërbimi i dobët ndaj qytetarëve, e për pasojë, cilësi e ulët e jetesës. Zgjidhja e problemit të Tiranës, sipas tij, vjen përmes rregullimit dhe mirëmenaxhimit të financave brenda bashkisë.
“Jemi duke i dëgjuar gjatë gjithë kohës politikanët tanë se si do t’i ulin apo ngrenë taksat, se si do të ndihmojnë me taksat një grupim apo një tjetër, por a i keni dëgjuar ndonjëherë të diskutojnë sa taksa mbledhin nga ato që janë? Një përqindje shumë, shumë të ulët. Kjo vjen, sepse nuk ndërtojmë kapacitete njerëzore dhe janë gjithë kohës duke bërë përjashtime”, theksoi më tej kandidati i pavarur.
Zoti Bojaxhi premton, që këto të ardhura do të shkojnë në masën 100% për t’u dhënë qytetarëve shërbimin që meritojnë; për më shumë çerdhe, kopshte e shkolla.
Top Channel