Basha pret Vuçiç: Së bashku të përqafojmë të ardhmen

27/05/2015 00:00

Gjatë ditës së parë të vizitës së tij në Tiranë, kryeministri serb Aleksandar Vuçiç është pritur edhe nga kryetari i opozitës, Lulzim Basha.

Në fjalën e tij gjatë këtij takimit, Basha vlerësoi se kjo vizitë është një hap përpara në intensifikimin e marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Serbisë.

Ai shprehu angazhimin e PD për të mbështetur zgjerimin dhe forcimin  e bashkëpunimit mes dy vendeve, në funksion të zhvillimit ekonomik.

“Shqipëria dhe shqiptarët nuk kanë dallime politike kur vjen fjala tek dëshira për të pasur marrëdhënie sa më normale bashkëpunimi mes Shqipërisë dhe Serbisë, të cilat do të jenë një impuls zhvillimi për dy vendet”, tha Basha, i cituar në një njoftim për shtyp të dërguar nga selia blu.

Ai nënvizoi se, tani është koha për të lënë pas të shkuarën dhe për të përqafuar të ardhmen, duke e vënë theksin në këtë drejtim edhe tek integrimi i vendeve të rajonit në BE.

Duke u ndalur tek Kosova, kryetari i PD tha se, pavarësia e saj është një realitet që nuk drejtohet kundër serbëve dhe Serbisë, por një zgjidhje përfundimtare e krizës së shkaktuar në rajon pas shpërbërjes së ish-Jugosllavisë.

Ndërsa sa i takon situatës në Luginën e Preshevës, Basha i kërkoi kryeministrit Vuçiç një vëmendje më të madhe nga ana e qeverisë serbe për zhvillimin ekonomik dhe infrastrukturor të kësaj zone.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB