Vizita e Vuçiç, analistët: Mesazh për serbët dhe shqiptarët se rruga është integrimi

26/05/2015 00:00

Për dy kryeministrat, atë serb dhe atë shqiptar, Aleksandar Vuçiç dhe Edi Rama, ka sfida të mëdha për përmirësimin e marrëdhënieve, si një hap i rëndësishëm jo vetëm për politikën.

Vizita në Tiranë e kryeministrit Vuçiç nuk shihet gjithnjë me pozitivitet në Beograd, por për zyrtarë dhe analistë, kjo është një mundësi edhe për ekonominë.

Millovan Dreçun, deputet i partisë së Vuçiç, i ngarkuar për Kosovën, thotë se këto marrëdhënie janë shumë të rëndësishme, pavarësisht pikëpamjeve të ndryshme politike.

“Takimi i dy kryeministrave do të krijojë një mundësi për progres më të shpejtë, si të marrëdhënieve bilaterale, por edhe të atyre ekonomike. Kjo do të çojë një mesazh edhe për serbët edhe për shqiptarët në rajon, që rruga jonë është bashkëpunimi dhe jo problemet e trashëguara dhe që kjo ka qenë një rrugë e ngarkuar me kundërshti dhe destabilitet dhe humbje të mëdha. Kjo është e rëndësishme edhe për BE-në, pasi bashkëpunimi është gur themeli për të gjitha vendet që aspirojnë anëtarësimin”, thotë Dreçun.

Ndërsa pjesa e shoqërisë civile e shikon në një aspekt tjetër këtë vizitë. Dragan Popoviç, nga Nismat Qytetare, e cilëson si të pakuptueshme marrëdhëniet e tensionuara Tiranë-Beograd e më gjerë.

“Nuk mund të gjeni dy vende të tjera në Europë që janë kaq afër e gati nuk kanë asnjë llojë bashkëpunimi dhe ky bashkëpunim është diçka ekzotike. Vizita në Shqipëri trajtohet sikur është një vizitë në Afrikë apo në vendet latino-amerikane. Ky është një tregues se pse jemi në këtë gjendje si rajon, ku nuk arrijmë të vendosim marrëdhënie normale dhe mungesa e komunikimit është arsye pse ne përjetojmë të gjitha këto probleme”, thotë Popoviç.

Në Serbi ka fare pak interes për këtë vizitë dhe kryeministri Vuçiç nuk ka dhënë shumë deklarata lidhur me tendencat e kësaj vizite. Por, duket se është e rëndësishme që të fokusohet në aspektin ekonomik dhe të kalojë në një heshtje sa më të madhe.

Vuçiç, në një intervistë për disa gazetarë në televizionin B92, tha se deklarata të marra nuk duhen bërë, por duhet zgjidhur problemet.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB