Emigracioni, BE plan për t’i zhvendosur klandestinët në të gjitha vendet

26/05/2015 00:00

Bashkimi Europian ka gati një strategji të re për përballimin e emigracionit klandestin, deklaroi në Athinë komisioneri për Çështjet e Emigracionit dhe Azilit, Dimitris Avramopoulos.

Nga e mërkura e ardhshme, – u shpreh ai, – Komisioni Europian do t’i kërkojë shteteve të unionit transportimin e emigrantëve nga vendet e vijës së parë, siç quhen Greqia, Italia dhe Malta, në brendësi të vendeve të Bashkimit Europian, për të përballuar kështu barrën e rëndë të pritjes së strehimit të mijëra emigrantëve.

Avramopoulos shtoi se, tashmë emigrimi nuk është një problem i vendeve të jugut të Bashkimit Europian, por i gjithë Europës, ndaj dhe duhen marrë masa për ndarjen e drejtë të barrës së trajtimit humanitar dhe ligjor të tyre.

Në masat e reja, që Bashkimi Europian është i gatshëm të implementojë, parashikohet edhe parandalimi i valës së emigracionit që në vendet e nisjes, me krijimin e kampeve, patrullimin në brigjet dhe kufijtë e shteteve hyrëse, dhe kthimi i menjëhershëm i tyre në këto vende.

“Në këtë moment po vihet re një rritje e madhe e emigracionit. Greqia po përballet me probleme të mëdha për shkak të fluksit të madh të refugjatëve. Siç e dini, Komisioni Europian ka bërë ndryshime në kuadrin ligjor dhe atë organizativ për t’u përballur me emigracionin kandestin. Synimi është njohja edhe më e mirë e fenomenit, për t’u përballur me të sa më mirë dhe me sa më efikasitet të mundemi. Bashkimi Europian do të ndihmojë vendet në vijën e parë, siç është Greqia dhe Italia. Së shpejti fillon të funksionojë edhe mekanizmi mbështetës, ku mes të tjerash parashikohet edhe shpërndarja e emigrantëve nga vendet e vijës së parë, për në brendësi të unionit”, tha Dimitris Avramopoulos, Komisioner për Emigracionin dhe Azilin në BE.

Sipas komisionerit, mekanizmi mbështetës do të ndihmojë në zbutjen e problemit, ndërsa anëtarët do të unifikojnë njëkohësisht strategjinë e tyre për emigracionin. Europa është në krah të Greqisë për këtë problem, – theksoi ai, – dhe do të bëjë ç’është e mundur që të përballohet problemi.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA