Padia për shpifje, Tahiri refuzon pajtimin me Palokën

25/05/2015 00:00

Në vazhdën e masave të marra për ta mbrojtur, përveç dy truprojave që e shoqërojnë ngado, ministri i Brendshëm Saimir Tahiri e kaloi pragun e Gjykatës së Lartë edhe me një oficer të RENEA-s përkrah.

Ndoshta për të dhënë mesazhin se ai është i qetë edhe pas një kërcënimi me telefon, ministri Tahiri kishte zgjedhur të vinte në këmbë dhe jo me automjet. Tahiri deklaroi se pret që drejtësia ta zbardhë këtë çeshtje

Z. Tahiri, ju jeni në ruajtje 24 orë në ditë, ju dhe familja juaj. A ndihet i kërcënuar Ministri i Brendshëm?

“Jo aspak. Drejtësia do të bëjë punën e vet. Unë vazhdoj detyrën time pa asnjë shqetësim”.

Në seancën e radhës në procesin ndaj deputetiti Edi Paloka, ku sipas legjislacionit gjykata tentoi që palët t’i jepnin dorën njëra -tjetrës, pajtimi mes Tahirit dhe Edi Palokës nuk ndodhi. Tahiri i tha gjykatës se është gati ta falë deputetin Paloka por me kushtin që ai ta pranojë publikisht që ka shpifur.

Por avokati i deputetit Edi Paloka i qëndroi versionit të klientit të tij, duke mos u tërhequr nga deklarimet. Ndodhur në këto kushte Gjykata e Larte u shpreh se i duhet kohë të njoftojë prokurorin përsa kohë pajtimi nuk u realizua. Por mungesa në proces e deputetit të paditur u pa nga Tahiri si injorim i gjyqësorit.

“Për ekonomi gjyqësore të mos vazhdonim këtë proces në rast se z.Paloka do kërkonte ndjesë publike dhe do pranonte që ka shpifur. Me sa kuptoj, instikti politik për të vazhduar këtë lloj dalldie me këto shpifje, është më i madh sesa instikti për të bërë drejtësi. Dhe në këto kushte, unë besoj që i vetmi pajtim është ai që do të bëjë gjykata. Gjithsesi unë nuk arrij të kuptoj se si një deputet, Kryetar i grupit parlamentar të Partisë më të madhe në opozitë, ka kohë të dalë ditë për ditë në konferenca për shtyp, dhe nuk ka kohë të paraqitet vetë në gjyq”, tha ministri.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB