Autoriteti i Mediave Audiovizive ka gjobitur me 5 milionë lekë një subjekt në zonën e Libofshës në rrethin e Fierit, ndërsa materialet në ngarkim të këtij subjekti i janë referuar Prokurorisë së Rrethit për nisjen e procedimit penal.
Sipas të dhënave nga AMA, subjektit në fjalë i ishin sekuestruar pajisjet disa ditë më parë pasi transmetonte pa autorizimin përkatës, por ai kishte filluar sërish transmetimet pas ikjes së inspektorëve. Për këtë arsye, AMA është rikthyer sërish duke vendosur masën e gjobës dhe duke nisur ndjekjen penale ndaj personave përgjegjës.
Aksioni në fjalë u krye në bashkëpunim të plotë me Policinë e Shtetit, si dhe me Operatorin e Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, punonjësit e të cilit prenë kabllot ajrorë të subjektit, të mbështetura në mënyrë të paligjshme në shtyllat elektrike.
Autoriteti i Mediave Audiovizive garanton se aksione të tilla do të vijojnë edhe në ditët në vazhdim duke ndëshkuar çdo transmetim pirat.
Top Channel