Komisioneri për Fqinjësinë Europiane dhe Negociatat e Zgjerimit në Bashkimin Europian, Johannes Hahn reagoi pak para mesnatës për zhvillimet dramatike në Kumanovë të Maqedonisë.
“Jam thellësisht i shqetësuar për situatën e shpalosur në rajonin e Kumanovës dhe për humbjet e jetëve e lëndimet e mundshme”, thuhet në qëndrimin e lëshuar nga zyra për shtyp.
“U bëj thirrje autoriteteve dhe të gjithë udhëheqësve politikë dhe të komunitetit për të bashkëpunuar, për të rivendosur qetësinë dhe për të hetuar plotësisht ngjarjen, në mënyrë objektive dhe transparente, sipas ligjit”, vijon më tej deklarata e Komisionerit Hahn.
Ai bën thirrje për përmbajtje maksimale ndaj të gjithë aktorëve në Maqedoni. “Çdo përshkallëzim i mëtejshëm duhet shmangur, të paktën për interes të stabilitetit të përgjithshëm në vend”, përfundon qëndrimi i Komisionit Europian ndaj Shkupit.
Përgatiti: Arta TOZAJ
Top Channel