Tentuan të korruptojnë policinë për të shmangur ndëshkimin, në pranga dy shtetas
Dy të vdekur dhe 21 të plagosur është bilanci në një konflikt të dhunshëm të radhës në burgun famëkeq të Koridhalosë në Greqi, mbrëmjen e së dielës.
Sipas informacioneve ekskluzive që ka siguruar Top Channel, incidentet kanë ndodhur në ndarjen e tretë të këtij institucionit penitenciar, ku vuajnë dënimet mbi 500 persona, kryesisht për trafikim droge.
Sulmet e përgjakshme midis të burgosurve janë zhvilluar pas orës 20:00 të mbrëmjes së të dielës, kur një grup të dënuarish shqiptarë dhe arabë kanë sulmuar disa të burgosur nga Pakistani me mjete të forta, si thika artizanale dhe leva.
I pyetur nga korrespodenti i Top Channel në Greqi, Aleksandër Marku, kreu i Sindikatës së Përgjithshme të rojeve të burgjeve në të gjithë vendit, Spiros Karakitsos, ka deklaruar se dy personat që humbën jetën janë të burgosur nga Pakistani.
Sa u përket të plagosurve të tjerë, sipas tij, ende nuk ka një informacion të qartë për identitetin e tyre, por thuhet se dy të burgosur janë në gjendje të rëndë, nga 21 persona që u transportuan me 10 ambulanca nga spitali i burgut drejt spitaleve Gjenimatas dhe Tzanios, në kryeqytet.
Incidentet e dhunshme shpërthyen, ndërsa të burgosurit po hynin në qelitë e tyre. Ende nuk dihen arsyet e kësaj përplasjeje.
Situata për momentin është e qetë, jashtë burgut forca të shumta policore janë në gatishmëri, ndërsa është hapur një hetim i gjerë rreth këtij konfrontimi.
“Ishte diçka që pritej”, është shprehur kreu i Sindikatës së Gardianëve, Spiros Karakitsos, i cili ka kujtuar se në vitin e fundit ka bërë disa paralajmërime për viktima në burgje, nëse qeveritë përkatëse nuk merrnin masa urgjente për mbipopullimin e institucioneve penitenciare, kushteve tepër të papërshtatshme në to dhe ligjeve që kanë të bëjnë me dënimet e paraburgimit, si dhe një shpërndarjeje më të rregullt të të burgosurve me kombësi të ndryshme.
Top Channel