Likovë, sulmohet policia maqedonase. Shkupi: 40 persona hynë nga Kosova

21/04/2015 00:00

Një grup prej 40 personash, mëngjesin e së martës kanë sulmuar Forcat maqedonase të Sigurisë në stacionin policor në fshatin Goshincë të komunës së Likovës, që ndodhet në afërsi të kufirit me Kosovën.

Lajmi është bërë i ditur nga Ministria e Punëve të Brendshme në Shkup. Zëdhënësi i policisë, Ivo Kotevski, tha se sulmesit i kanë mbajtur të lidhur për rreth një orë 4 policët maqedonas, të cilëve ua kanë marrë armatimin dhe i kanë liruar.

“Republika e Maqedonisë dhe institucionet e saj, mëngjesin e sotëm kanë qenë prè e sulmeve terroriste. Rreth orës 2:30 pas mesnate, një grup prej rreth 40 personash kanë sulmuar stacionin policor në fshatin Goshincë, në afërsi të kufirit verior. Personat kanë qenë të armatosur dhe të veshur me uniforma me emblemën e UÇK-së. Gjatë sulmit janë marrë peng 4 policë, që kanë bërë roje në stacion, të cilët janë liruar pasi sulmuesit ua kanë marrë armët, ndërsa njëri nga policët është goditur fizikisht”, tha Ivo Kotevski, zëdhënës i policisë.

Sipas zëdhënësit të policisë maqedonase, sulmuesit kanë komunikuar mes tyre në gjuhën shqipe dhe kanë hyrë nga Kosova.

“Personi, që ka udhëhequr grupin e armatosur, i është drejtuar në gjuhën shqipe policëve të lidhur,  me këto fjalë: Ne jemi UÇK dhe porosisim të gjithë, se as Ahmeti dhe as Gruevski nuk do të mund t’iu shpëtojnë. Ne duam shtetin tonë dhe nuk duam Marrëveshjen e Ohrit. Nëse iu kapim përsëri këtu do t’iu eliminojmë”, tha Ivo Kotevski, zëdhënës i policisë.

Nga Ministria e Brendshme nuk bëjnë të ditur, nëse pjesëtarët e policisë maqedonase janë kthyer në stacionin policor në fshatin Goshincë, që u sulmua mëngjesin e së martës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA