
Një gjykatë në Egjipt ka dënuar të martën me 20 vjet burg ish-presidentin Mohammed Morsi, për vrasjen e protestuesve teksa ishte ende në pushtet.
Bëhet fjalë për dënimin e parë me të cilin Morsi përballet që nga rrëzimi nga posti, ndërkohë që një seri procesesh të tjera gjyqësore do të vijojnë ndaj tij.
Në prag të vendimit, Vëllazëria akuzoi shefin e dikurshëm të ushtrisë dhe aktualisht presidentin e vendit, Abdul Fattah al Sisi për përdorim të gjyqësorit si një armë.
Vetë zoti Morsi ka refuzuar të njohë autoritetin e gjykatës, me pretendimin se ishte viktimë e një grushti ushtarak shteti.
Ditën e hënë, një gjykatë dënoi me vdekje 22 mbështetës të Vëllazërisë Myslimane për një sulm ndaj një komisariati policie në Kajro, që ishte përfshirë në operacionet kundër këtij fraksioni.
Morsi u rrëzua nga pushteti përmes një grushti shteti në korrik 2013, pas protestave masive të verifikuara në rrugët e Kajros kundër regjimit të tij.
Që atëherë, autoritetet që morën pushtetin e shpallën të paligjshme partinë e tij Vëllazëria Myslimane dhe mijëra mbështetës të tij u arrestuan.
Zoti Morsi dhe liderë të shumtë të Vëllazërisë u akuzuan për nxitje të mbështetësve të tyre për të vrarë një gazetar dhe manifestuesit e opozitës të mbledhur jashtë pallatit presidencial nga fundi i vitit 2012.
Atëherë, teksa turma u mblodh jashtë pallatit, presidenti urdhëroi policinë që ta shpërndante. Pasi një refuzimi të hapur, Vëllazëria solli mbështetësit e saj dhe menjëherë nisën përleshjet që u morën jetën të paktën 11 vetëve.
Top Channel