Ndryshe nga FMN dhe Qeveria, BERZH: Rritja ekonomike, më pak se 3%

16/04/2015 00:00

Ndryshe nga FMN dhe Qeveria shqiptare, BERZH deklaron se do të vazhdojë të mbajë një skenar më të rezervuar për ekonominë shqiptare. Drejtori për Shqipërinë, Christoph Denk tha se, për këtë vit BERZH parashikon një rritje ekonomike më të ulët se 3 për qind.

“Ekonomia shqiptare po ringrihet, sipas vlerësimeve tona, me një shpejtësi prej 2.5 për qind këtë vit. Është një rimëkëmbje e ngadaltë, nga një periudhë e gjatë dhe e vështirë, ndaj dhe shpresojmë se gjatë viteve në vazhdim rritja ekonomike do të përshpejtohet më shumë”, tha Christoph Denk, drejtor i BERZH për Shqipërinë.

Por cilat janë arsyet, që BERZH mban një skenar më të përmbajtur për ekonominë shqiptare? Sipas Denk, veç pasojave që burojnë nga kriza e eurozonës, ekonomia ka edhe dobësi të brendshme.

“Shkaku kryesor lidhet me ambientin e jashtëm. Greqia dhe Italia, dy partnerët kryesorë ekonomikë të Shqipërisë, janë në një pozicion relativisht të vështirë. Gjithashtu ka edhe faktorë të brendshëm. Ekonomia duhet të përmirësohet, klima e investimeve gjithashtu. Kjo ishte arsyeja se, përse BERZH bashkëpunoi me Qeverinë për të ngritur Këshillin e Investimeve”, tha më tej Denk.

BERZH është një bankë e specializuar për t’iu ardhur në ndihmë ekonomive në zhvillim. Vitet e fundit ajo ka investuar në një sërë sektorësh të ekonomisë shqiptare. Por së fundmi, ashtu siç lajmëroi edhe kryeministri, BERZH po planifikon të financojë edhe bujqësinë.

“Po, jemi në diskutime me Qeverinë për të lançuar një skemë financimi për bujqësinë. Është ende pak herët për të thënë detajet, si shuma e paketës financuese apo kriteret, por mund t’iu them që BERZH është aktive në mbështetjen e bujqësisë në disa vende të rajonit. Ne besojmë se në Shqipëri, ky sektor ka potenciale të mëdha të pashfrytëzuara. Pikërisht për këto arsye do të dëshironim të lëviznim edhe në këtë drejtim”, theksoi Denk.

Bujqësia konsiderohet si një sektor me më shumë potencial për të rritur të ardhurat e familjeve dhe ekonominë kombëtare. Por fermerët vuajnë mungesën e financimeve, jo vetëm publike nga buxheti, por edhe atyre private, e manifestuar nga shifra e papërfillshme e kredisë, që bankat kanë dhënë për këtë sektor.

Top Channel