Dega e grupit terrorist të Al Kaeda-s në Jemen ka humbur një nga liderët kryesorë te saj , Ibrahim al Rubaish.
Viktima për një kohë të gjatë ka qenë një nga objektivat e hershme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe koalicioni i tyre kishte ofruar 5 milionë dollarë si shpërblim për të.
Grupi ekstremist pretendon se ishin sulmet ajrore amerikane ato që i morën jetën liderit të Al Kaeda-s së bashku me 4 terroristë të tjerë.
Rubaish ishte nga Arabia Saudite dhe prej dekadash i ishte dedikuar xhihadit si edhe luftës kundër Amerikës dhe agjentëve të saj. “Al Jazeera” e përshkruan 30-vjeçarin si një person me shumë influencë në Jemen, karizmatik dhe me strategji të qartë në rekrutimet që bënte.
Sekretari amerikan i Mbrojtjes dhe aleatë të tjerë perëndimorë e kishin cilësuar më herët Jemenin si kërcënimin e ri terrorist më të madh, por koalicioni ishte zotuar se do te vazhdonte me misionin e tyre.
Nga rreziku në terren, në fund të marsit, rreth 100 këshilltarë ushtarakë amerikanë u tërhoqën nga baza ajrore “al-Annad”, ku ata ishin përgjegjësit për luftën kundër terrorizmit në Jemen. Uashingtoni rrallë komenton për sulmet ajrore, por zyrtarët amerikanë janë të shqetësuar se fuqia e tyre në betejë sa vjen dhe po zvogëlohet për shkak të tërheqjes së personelit të tyre.
Top Channel