
Në vijim të takimeve me të rinjtë e Lëvizjes Rinore për Integrim, kreu i LSI-së, Ilir Meta i ftoi ata që të bëhen pjesë e zgjedhjeve për të vendosur vetë për të ardhmen e tyre.
“Zgjedhjet e fundit në Tiranë do të mbahen mend për faktin që në një bashki kaq të madhe sa Tirana patëm një odise të pafund numërimi dhe rinumërimi dhe në fund u nda me një grusht votash. Kjo do të thotë se vota juaj ka rëndësi për të vendosur për të ardhmen tuaj, ndryshe dikush tjetër do ta bëjë”, deklaroi Meta.
Në takimin e zhvilluar në formë bashkëbisedimi, kreu i Kuvendit u pyet prej të rinjve edhe për çështje të arsimit dhe tregut të punës.
Meta tha se reforma në arsim i jep përparësi edukimit profesional për të orientuar të rinjtë drejt tregut të punës.
“Sot edukimi profesional ka një rëndësi të madhe. Sipërmarrjet vendase dhe të huaja kërkojnë gjithnjë e më shumë punonjës të kualifikuar, por e kanë të pamundur për shkak se në të shkuarën i është dhënë përparësi shkollës së lartë. Me një profesion keni punën e garantuar dhe me një pagë të mirë”, deklaroi Meta, duke ftuar të rinjtë që të ndjekin studimet në ato degë që ka nevojë vendi.
Top Channel