
Qeveria miratoi projektligjin për Arsimin e Lartë, i cili sipas Ministrisë së Arsimit synon të reformojë të gjithë sistemin arsimor universitar, publik dhe atë privat.
Për të diskutuar në lidhje me këtë çështje, e ftuar në studion e edicionit qendror informativ në Top Channel, ishte Ministrja e Arsimit Lindita Nikolla.
Ilir Paço: Zonja Nikolla, cilat janë ndryshimet që ju propozoni me këtë ligj dhe çfarë synoni ju të arrini me këtë reformë?
Ministrja Nikolla: Është një projektligj i miratuar sot nga qeveria si masë për të rritur cilësinë. Ka ardhur pas një procesi që për herë të parë, si për kohështrirjen dhe gjithëpërfshirës ka mbledhur aktorë nga më kryesorët të arsimit të lartë në vend. Busulla orientuese është cilësia dhe vetëm ajo. Biem dakort që universitet janë një e mirë e madhe publike nëse ofrojnë dijen e duhur për studentët. Ligji është një reformë që sjell cilësi në universitete, ndaj është një ligj në radhë të parë për studentët dhe më pas për prindërit, dhe që sjell një autonomi të plotë për pranimin, kuotat dhe stafet akademike. Financimi orientohet nga performanca.
Ilir Paço: Ju folët për avantazhet që do të sjellë ligji për arsimin e lartë, ndërkohë që kemi pasur edhe oponencë për të nga qarqe akademike dhe studentë, e kryesisht të universiteteve publike. Shqetësimi kryesor ka patur të bëjë me cënimin e autonomisë së universiteteve…
Ministrja Nikolla: E kundërta është e vërtetë. Autonomia zgjerohet. Qeveria dhe ministria heq dorë nga shumë situata dhe mënyra e re moderne, padyshim lë vend për më shumë autonomi. Reforma nuk mund të ketë konsensusin e të gjitha palëve, por është një proces që shenjohet për herë të parë në Shqipëri, ku të gjithë aktorët janë shprehur. E rëndësishme është që kthen cilësinë në arsim dhe adreson financat publike te arsimit publik. Nuk do të ketë financa publike që shkojnë për të financuar universitetet private. Financa publike dhe private që shkojnë për të ngritur një universitet publik cilësor.
Ilir Paço: Pra ju i hidhni poshtë këto akuza?
Ministrja Nikolla: E përsëris, jo financa publike për universitetet private! E kundërta është e vërtetë, financa publike e private që shkojnë për financimin e universiteteve publike.
Top Channel