Emergjenca e Ebolës merr fund në gusht, thotë OKB

23/03/2015 00:00

Rënia e virusit të Ebolës në Afrikën Perëndimore do të marrë fund në muajin gusht, ka deklaruar shefi i misionit të OKB-së kundër virusit.

Ismail Ould Cheikh Ahmed pranoi se Kombet e Bashkuara kishin bërë gabime në menaxhimin e krizës dhe se ndonjëherë madje kishin vepruar në mënyrë arrogante.

Një vit nga rënia, virusi i Ebolës ka vrarë mbi 10 mijë persona. Organizata mjekësore e bamirësisë, Mjekët pa Kufij deklaroi se, mungesa e veprimit në rang global çoi në pasoja tragjike.

Organizata nënvizoi se, thirrjet e saj për ndihmë u injoruan nga qeveritë dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë. Shumica e viktimave u regjistrua në vendet më të prekura si Guinea, Liberia dhe Sierra Leone.

“Kur virusi goditi për herë të parë, nuk kishte shumë informacion mbi të dhe reagimet ishin arrogante. Por besoj se tani po e mësojmë mësimin”, ka thënë shefi i misionit të OKB-së.

“Gjatë gjithë kësaj kohe i jemi shmangur një date të saktë, por jam mjaft i sigurt se gjithçka do të marrë fund brenda verës”, ka vijuar Ahmed.

Personi i parë që u prek nga sëmundja thuhet se ishte një banor i një zone të largët të Guinesë, që vdiq në dhjetor 2013. Tre muaj më vonë, Organizata Botërore e Shëndetësisë njoftoi zyrtarisht rënien e virusit.

Më pas u deshën 5 muaj të tjerë që organizata ta shpallte virusin një emergjencë shëndetësore ndërkombëtare, por deri atëherë mbi 1 mijë persona kishin humbur jetën.

Top Channel