Drejtuesi i Komunës së Strugës, Ziadin Sela, u zgjodh kryetar i Lëvizjes për Reforma në PDSH. Pas Kongresit të mbajtur në Tetovë, ai paralajmëroi se fillimisht do t’i kërkojë vulat e partisë nga Menduh Thaçi dhe më pas do të vazhdojë betejën e tij për drejtimin e PDSH-së në rrugë ligjore.

Nëse nuk arrin ta realizojë këtë qëllim, Sela tha se do të formojë një subjekt tjetër politik.

“Ne duhet ta fitojmë këtë proces gjyqësor dhe nëse jo, atëherë sipas dispozitave të statusit, Kongresi detyron Kuvendin Qendror që, nëse nuk merren vulat e partisë, të nisë procedura për regjistrimin e partisë”, tha Ziadin Sela, kryetar i Lëvizjes për reforma në PDSH.

Sela tha se do të jetë i hapur për bashkëpunim me partitë opozitare, për të avancuar interesat e shqiptarëve në Maqedoni.

“Do të bëjmë çmos që të bashkojmë opozitën, të bëjmë një front dhe një bllok të madh opozitar shqiptar, në mënyrë që të arrijmë të marrin legjitimitetin nga populli, jo vetëm për t’u bërë pjesë e qeverisë pa kushte. Ky do të jetë kushti ynë në ofertën tonë, që do t’i bëjmë partive opozitare për bashkëpunim”, tha Ziadin Sela, kryetar i Lëvizjes për reforma në PDSH.

Kryesia qendrore e PDSH-së, një vit më parë përjashtoi nga partia Ziadin Selën, i cili më pas kërkoi dorëheqjen e kreut partiak dhe formoi lëvizjen për reforma. Nga ana tjetër, kreu aktual i PDSH-së, Menduh Thaci ka thënë nuk do të merret me personat e përjashtuar nga strukturat partiake.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA