Sot mbledhja e Këshillit të Rregullores për Doshin e Frrokun

21/03/2015 00:00

Tom Doshi dhe Mark Frroku janë deputetët e parë pas ndryshimeve kushtetuese, Kodit Penal dhe Rregullores së Kuvendit, që do të vihen përpara votimit të Parlamentit pas kërkesës së Prokurorisë për arrestimin e tyre.

Sipas këtyre ndryshimeve ligjore, dy deputetët e Shkodrës duhet të dalin fillimisht përpara Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, që është vendosur të mblidhet pasditen e sotme, në orën 17:00.

Kërkesa për mbledhjen e kësaj strukture është bërë nga Ilir Meta, në plotësim të kërkesës së rregullores në raste të tilla. Ky këshill drejtohet gjithashtu nga Ilir Meta dhe ka në përbërje 10 anëtarë, 5 nga mazhoranca dhe 5 opozita.

Rregullorja i jep të drejtë gjithashtu Doshit dhe Frrokut të dalin përpara këtij këshilli, për t’u dëgjuar përpara se kjo strukturë parlamentare të hartojë relacionin që i shkon për votim Kuvendit.

Në kushtet kur i akuzuari i Doshit është vetë kreu i Kuvendit dhe njëkohësisht drejtues i këtij këshilli, pritet të shihet cili do të jetë vendimi i Ilir Metës për të qenë ose jo në krye të Këshillit të Mandateve.

Burime për Top Channel bëjnë me dije se ky vendim është diskutuar mes tij dhe kryeministrit Rama, drejtuesve të grupeve parlamentare të PS e LSI, krerëve të komisioneve të Ligjeve dhe Sigurisë, në takimin e parë në Kryeministri pas kërkesës së prokurorisë për arrestimin e Doshit dhe Frrokut.

Ndërkohë, pas deklarimeve të kampit blu se nuk do të bllokojë hetimin, i pritshëm është që raporti përfundimtar në Këshillin e Mandateve të ketë mbështetjen e të gjithë anëtarëve.

Gjithësesi do të jetë votimi i Kuvendit që do të vendosë për t’i hapur rrugë kerkesës së prokurorisë për arrestimin ose jo të dy deputetëve të Shkodrës. Kërkesa e prokurorisë për dy deputetët kërkon shumicë të thjeshtë në Kuvend dhe bëhet përmes një votimi të fshehtë.

Nga mbledhja e këshillit, rregullorja përcakton një afat 1-mujor për hartimin e raportit që do t’i paraqitet Kuvendit. Por bëhet e ditur se Parlamenti pritet të mblidhet të hënën, për të votuar mbi kërkesën e prokurorisë. Sipas legjislacionit, ky votim është akti final që i hap rrugën kërkesës së akuzës për arrestimin ose të deputetëve Doshi dhe Mark Frroku.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA