Italia evakuon personelin e ambasadës

15/02/2015 00:00

Një katamaran maltez transferoi nga Tripoli në Itali rreth njëqind shtetas italianë. Bëhet fjalë për personelin e Ambasadës italiane në Libi dhe një grup italianësh që ndodheshin në vend.

Mbyllet kështu e vetmja ambasadë e një vendi europian, që kishte mbetur e hapur në kryeqytetin libian. Vendimi i Qeverisë së Romës u bë urgjent, pas gjendjes së krijuar në Tripoli, i cili me sa dihet është nën kontrollin e forcave të ISIS.

E pasi Italia u tregua e gatshme të luajë rolin e saj në një mision të mundshëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, kërcënimi për vendin u bë më konkret. Në një video ku disa militantë të ISIS ekzekutojnë 21 pengje egjiptianë, deklarohet se filmimi është bërë në brigjet e Tripolit.

“Më parë na keni shikuar në kodrat e Sirisë, sot jemi në jug të Romës, në Libi”, thotë në video një militant, që mban në dorë një thikë të përgjakur.

Në një njoftim të Ministrisë italiane të Punëve të Jashtme bëhet e ditur se ditën e enjte do të debatohet në Parlament, pikërisht mbi pjesëmarrjen e mundshmë italiane në një ndërhyrje ndërkombëtare nën flamurin e Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

ISIS kërcënon Italinë: Jemi në jug të Romës

Mbi Tripoli, kryeqytetin e Libisë, tashmë është ngritur flamuri i Shtetit Islamik. Mediat ndërkombëtare raportojnë se tashmë militantët e ISIS kanë marrë në zotërim një pjesë të kryeqytetit, pas zonave që kishin marrë në kontroll pak ditë më parë.

E gjithë situata e tensionuar në Libi, ka përcjellë ankth në Itali, e cila është vetëm 400 km larg nga Tripoli, në rrugë detare. Veç kësaj, mediat italiane raportojnë se persona të armatosur me kallashnikovë, kanë kërcënuar ekuipazhin e një mjeti lundrues të Rojës Bregdetare italiane, e cila ishte afruar në afërsi të Tripolit, për t’i dhënë ndihmë gomoneve me emigrantë që drejtoheshin për në ishullin e Lampeduzës, vetëm rreth 100 km nga kryeqyteti i Libisë.

Por kërcënimi për Italinë duket se bëhet edhe më serioz, pasi gjatë orëve të mbrëmjes, militantët e ISIS kanë publikuar një video, e cila sipas tyre është filmuar në brigjet e Tripolit, ku duken 21 pengje egjiptianë, të cilët ekzekutohen me prerje koke.

Në videon e titulluar “Një mesazh i shkruar me gjak për kombin e kryqit”, një militant i ISIS, kërcënon Italinë, duke thënë se tashme gjendemi në jug të Romës dhe do ta pushtojmë atë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA