Autoritetet egjiptjane vendosën pezullimin e të gjitha ndeshjeve të ligës vendase të futbollit për një periudhë kohe të papërcaktuar, pas përleshjeve të dhunshme që shpërthyen të dielën në një stadium të Kajros, duke përfunduar me bilancin tragjik të 22 të vdekurve.
Një pjesë e viktimave u shtypën nga turma, kur policia përdori gazin lotsjellës kundër mbështetësve të Zamalekut, të cilët po përpiqeshin të hynin me forcë në stadium për të parë ndeshjen me skuadrën rivale të kryeqytetit, ENPPI. Tifozët fajësojnë autoritetet për fatkeqësinë, me pretendimin se hapën vetëm një portë, çka shkaktoi sipas tyre të gjithë pështjellimin.
Një fletëarresti është lëshuar për liderin e grupit të tifozëve të Zamalekut, të njohur si “Kalorësit e Bardhë”. Hera e fundit që janë pezulluar ndeshjet e ligës së futbollit në Egjipt ka qenë në 2012-n, kur nga përleshjet po për shkak të një ndeshjeje në Port Said humbën jetën 74 vetë.
Pavaresisht dhunës së shpërthyer në stadiumin e mbrojtjes ajrore në Kajro, ndeshja u zhvillua e plotë. Tifozët egjiptjanë të futbollit shpeshherë janë thellësisht të politizuar, e një pjesë e tyre luajtën rol të rëndësishëm në përmbysjen e ish-presidentit Hosni Mubarak, gjatë revolucionit të vitit 2011.
Mes këtyre të apasionuarve të ethshëm pas futbollit dhe forcave të sigurisë ka një histori të gjatë tensionesh, ndaj nuk përjashtohet mundësia e përpasjeve të tjera të dhunshme gjatë ditëve në vazhdim.
Top Channel