Gjithnjë e më shumë, kontinenti i Europës po shihet si një nga mundësitë më të mira për strehimin e mijëra personave, që kërkojnë azil politik. Kjo kërkesë në rritje vjen pas thellimit të krizave luftarake në Lindjen e Mesme.
Sipas shifrave të fundit, që vijnë nga studimet demografike, numri i personave që kërkojnë strehim në ndonjë vend të Bashkimit Europian ka arritur pikën më të lartë në pothuajse dy dekadat e fundit.
Më shumë se gjysmë milioni vijnë nga Siria, kryesisht komuniteti i krishterë Jazidi. Por nuk mungojnë edhe zhvendosjet brenda për brenda kontinentit europian. Vetëm nga rajoni i Ballkanit kërkohet azil politik drejt Perëndimit, ku Serbia ka numrin më të lartë të azilkërkuesve, me rreth 28 mijë persona, duke u ndjekur nga Shqipëria dhe Kosova, përkatësisht me nga 16 mijë persona.
Destinacioni më i lakmuar për t’u zhvendosur është Gjermania me 32% të azilkërkuesve, më pas Suedia, Italia dhe Franca. Por, kohët e fundit vihet re që këto vende perëndimore i kanë shtrënguar masat e tyre për personat që kërkojnë strehim.
Në Gjermani, lëvizja ekstreme PEGIDA kërkon ndalimin e kësaj rrjedhe, dhe ka nisur të përhapë idetë e saj raciste. Për të rritur ndikimin kundër shoqërive multikulturore, PEGIDA po zhvillon marshime edhe jashtë Gjermanisë, këtë herë në Malmo të Suedisë.
Ndërkohë që një raport i fundit i OKB-së tregon se Suedia dhe Zvicra janë të vetmet vende europiane, që listohen për keqtrajtimin e fëmijëve të emigrantëve, të burgosurve me nënshtetësi të huaj, si dhe azilantëve të tjerë që strehohen brenda kufijve të tyre.
Top Channel