
PEGIDA, lëvizja anti-islamit e lindur në Gjermani tërhoqi me qindra mbështetës në tubimin e saj të parë të organizuar në kryeqytetin austriak, Vjenë. 1.200 efektivë policie ishin mobilizuar për të mbajtur situatën nën kontroll, ndërsa gati 300 vetë marshuan nëpër rrugë me flamujt austriakë në duar.
Nga ana tjetër, pothuajse po kaq kundërshtarë të organizatës e cila synon të luftojë atë që e cilëson “islamizim të Europës” mbajtën edhe ata një miting me thirrjet “poshtë PEGIDA” dhe “ne jemi të gjithë anti-fashistë”. Për t’i mbajtur dy kampet larg përplasjes me njëri-tjetrin është dashur ndërhyrja e policisë.
Incidente madhore sidoqoftë nuk ka pasur e as arrestime. Mbështetësit e PEGIDËS kanë kërkuar të dëgjohet zëri i tyre. Christian Roessler, simpatizant i PEGIDËS, tha: “Politikanët duhet të dëgjojnë se çfarë kanë për të thënë qytetarët austriakë e jo emigrantët aq të shumtë në numër të cilët nuk preferojnë të jetojnë sipas kulturës së Europës qendrore, por duan të sjellin kulturën e tyre në vendin tonë.”
Tubimi pasoi demonstratat e së premtes kur aktivistë të majtë ngritën zërin ndaj ballos së përvitshme të Vjenës që tërheq tradicionalisht figura të krahut të djathtë. Në Austri janë gjithashtu në rritje edhe ndjeshmëritë fetare. Qeveria ka propozuar përkthime të standartizuara të Kuranit në gjermanisht e në projektligjin e hartuar së fundi me qëllimin të frenojë edhe militantët, ndalon financimin e huaj të organizatave myslimane në tokën austriake.
Nuk kam asnjë problem me myslimanët përsa kohë sillen ashtu siç duhet, ishte komenti i një simpatizanti të PEGIDËS për agjensinë e lajmeve Reuters.
“Kam 5 muaj që ndihmoj refugjatë nga Siria të ambientohen këtu e akoma nuk kanë mësuar asnjë fjalë gjermanisht”, shton ai.
Marshimi i PEGIDËS erdhi pas alarmit të nxitur prej të dhënave zyrtare, të cilat tregonin se rreth 170 persona nga Austria i janë bashkuar xhihadistëve të Shtetit Islamik dhe po luftojnë në krah të tyre në Lindjen e Mesme.
Top Channel