Ja vendimet e para të Qeverisë “Tsipras”. Këshilltari i Kryeministrit grek intervistë për TCH

27/01/2015 00:00

Në një intervistë për “Revistën Televizive të Mbrëmjes” në Top Channel, Giorgos Tsipras, këshilltari për Marrëdhëniet me Jashtë i Kryeministrit të ri të Greqisë, hedh dritë mbi nismat e para që pritet të marrë qeveria.

TCH: Cilat do të jenë vendimet e para që do të marrë qeveria juaj?

Giorgos Tsipras: Vendimi i parë do të ketë të bëjë me ristrukturimin e masave të Memorandumit që qeveria e mëparshme greke ndërmori. Me masat e Memorandumit, ne nënkuptojmë masat shtrënguese kundër qytetareve, të nënshkruara me Trojkën. Pra, këto masa të memorandumit do të ristrukturohen. Por vendimi i parë do të jetë adresimi i krizës humanitare në Greqi.

TCH: Ju keni premtuar rinegocimin e borxhit të Greqisë, por në rast se kjo gjë nuk ndodh a rrezikoni ju si Qeveri, sepse ju këtë keni premtuar gjatë fushatës?

Giorgos Tsipras: Memorandumi erdhi nga traktatet e Europës, Memorandumi u imponua nga Trojka. Pra është tjetër gjë rruga se si do të shlyejmë borxhin, për të cilën ne do të negociojmë dhe janë një tjetër gjë masat për politikat sociale që na u imponuan ne, në mënyrë që të shlyejmë borxhin. Këto janë dy gjërat e ndryshme. Pra, në njërën anë ne do të negociojmë borxhin dhe në anën tjetër, se çfarë politikash sociale ne do të ndjekim është çështja e jonë. Për shembull, për një kreditor, ajo që ai do është që ekonomia jonë të rritet dhe të ketë zhvillim dhe jo të ketë më deficite primare. Pra të jemi të qartë që ne nuk dua të shtojmë borxhe të tjera, të gjitha gjërat e tjera janë çështjet tona lidhur me politikat sociale që do të ndjekim. Kërkesa nga BE është që ne mos te kemi deficite primare, që të kemi një buxhet te balancuar. Këtë ne do ta kemi.

TCH: Cfarë prisni nga takimin me Presidentin e Francës, i cili ishte dhe i pari që ju ftojë dhe kë do të takoni në fillim nga drejtuesit e BE?

Giorgos Tsipras: Ne duam të flasim dhe të diskutojmë me të gjithë, jo vetëm për problemet e ekonomisë greke dhe gjetjen e një zgjidhje, por gjithashtu edhe për probleme të tjera në Europë. Siç e dini, Europa nuk është në një stine të mirë përsa i përket këndvështrimit ekonomik, është afër një recesioni të ri pas 2008. Është koha e deflacionit. Problemi i borxhit nuk është vetëm problem grek, pra këto janë gjëra që prekin gjithë Europën dhe jo vetëm grekët.

TCH: A do të ketë Qeveria e Syriza-s një qasje të re në politikën e jashtme dhe kryesisht atë me fqinjët e veçanërisht atë me Shqipërinë?

Giorgos Tsipras: Unë nuk dua të hy në shumë detaje, pasi është ende herët, por ajo që mund të them është që ne te Syriza i kushtojmë shumë rëndësi zhvillimit të marrëdhënieve bilaterale dhe multilaterale me vendet e rajonit dhe ky është një nga prioritetet tona në politikën e jashtme, e në këtë pikë ne do të shohim përpara në zhvillimin e mëtejshëm gjithashtu edhe me Shqipërinë.

TCH: Një nga pikat më të nxehta të diskutimeve mes Shqipërisë dhe Greqisë është ajo e kufijve detarë. Cili është qëndrimi i Syriza-s për këtë çështje?

Giorgos Tsipras: Ajo që dua të them tani është që Syriza ka programin e saj për politikën e jashtme, por marrëveshja mes Greqisë dhe Shqipërisë është konsideruar si një marrëveshje e përfunduar, më pas Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë e rrëzoi atë. Tani ne duhet të flasim për këtë çështje dhe të gjejmë një zgjidhje.

TCH: Një nga kartat më të forta tuajat në fushatë ka qenë mbështetja për emigrantët. Cili do të jetë vendimi i parë që qeveria juaj do të marrë në lidhje me emigrantët?

Giorgos Tsipras: Ju e dini që Syriza është forca politike më miqësore lidhur me emigrantët, qofshin këta emigrantë ekonomik apo refugjatë që vijnë nga vende të tjera të botës ku ka luftëra. Të jeni të qartë, tani do të ketë një qasje më miqësore për emigrantët që punojnë dhe jetojnë në Greqi, në veçanti emigrantët e ardhur nga vendet e Ballkanit.

TCH: A ka në plan Kryeministri Tsipras të zhvillojë një vizitë në Shqipëri?

Giorgos Tsipras: Udhëtimi i parashikuar në dhjetor u shty për shkak të zhvillimeve në Greqi. Tani për tani ne nuk kemi një axhendë për vizita, sepse është ende herët, por jam i sigurt që shumë shpejtë do ta kemi në planet tona.

TCH: Ju tashmë keni krijuar një koalicion me Grekët e Pavarur, me të cilët keni disa pika jo të përbashkëta. A mendoni se do të jetë jetëgjatë ky koalicion?

Giorgos Tsipras: Mes nesh dhe ANEL ka diferenca, të cilat nuk do të zhduken për shkak të koalicionit natyrisht. Por duke lexuar mediat ndërkombëtare, këto diferenca janë pak të ekzagjeruara. Ne jemi partia e madhe dhe duhet të jetë e qartë që do të jetë programi ynë ai që do të drejtojë vendin.

TCH: Dhe pyetja e fundit, dy nga problemet e mbartura ndër vite mes Shqipërisë dhe Greqisë janë ato të Ligjit të Luftës dhe Çështjes Çamë. Cili do të jetë qëndrimi i Syriza-s për këto dy çështje?

Giorgos Tsipras: Ne e kemi shprehur këndvështrimin tonë për këto çështje disa herë, por do të jetë më mirë që ministri i ri i Jashtëm që do të emërohet, të flasë për këto çështje.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA