SYRIZA fiton zgjedhjet në Greqi. Radikalët e majtë për herë të parë në pushtet

25/01/2015 00:00

Koalicioni i së majtës radikale SYRIZA, fitoi zgjedhjet e parakohshme parlamentare të së dielës në Greqi, duke shënuar ardhjen për herë të parë në pushtet në një vend të BE të së majtës radikale.

Partia e liderit të ri, Alexi Tsipras është zotuar të rinegociojë të gjitha kushtet e vendosura nga institucionet financiare ndërkombëtare dhe kreditorët e borxhit dhe t’i japin fund masave të rënda shtrënguese ndaj popullit grek.

Sipas SYRIZA-s kjo do të realizohet brenda 2-3 muajve të parë të qeverisjes. Në fjalën e tij përpara mbështetësve pas fitores, Tsipras deklaroi se sot marrin fund masat shtrënguese. Por kundërshtarët e tyre deklarojnë se qëndrimet e SYRIZA-s, mund ta çojnë vendin drejt greminës me një dalje të mundshme nga Eurozona.

Pasi u numëruan më shumë se gjysma e votave të hedhura ditën e dielën në kutitë e votimit, Syriza udhëheq me rreth 36% të votave, duke siguruar kështu të 149 deputetë, ndërsa e Demokracia e Re mori rreth 28% duke siguruar vetëm 77 deputetë, ndërsa si forcë e tretë është renditur Agimi i Artë me rreth 6% të votave. Partia Lumi është renditur e katërta, duke siguruar 16 deputetë, KKE ka marrë rreth 5.4% të votave duke siguruar 15 deputetë, PASOK 13 deputetë dhe partia e fundit grekët e pavarur që kanë fituar 13 vende në parlament. Pra, kemi një parlament me 7 parti, po ashti siç ishte edhe më parë. Tashmë mbetet për t’u parë deri në përfundim të numërimit nëse SYRIZA do të sigurojë 151 vende në parlament.

Korrespondenti i Top Channel në Selanik, Aleksandër Marku, raportoi se fituesi i këtyre zgjedhjeve Alexi Tsipras ka mbajtur një fjalim, ku është shprehur se “populli grek në këto zgjedhje ka shkruar historinë, duke dhënë një mandat të pastër. Greqia ndryshoi faqen, la pas masat e ashpra, duke ecur përpara në një Europë që ndryshon. Kemi marrë një urdhër kombëtar të rimëkëmbjes së vendit. Sot u mund Greqia e elitës, e oligarkëve dhe fitoi Greqia e punës dhe e civilizimit, e shpresës, e dinjitetit”.

Nga ana e tij Kryeministri grek, Samaras i ka telefonuar, duke e uruar për fitoren Tsipras dhe në anën tjetër duke pranuar edhe humbjen e këtyre zgjedhjeve.

Në një mesazh televiziv drejtuar popullit, ai ka thënë: “Kam ndërgjegjen e qetë, pasi mora një vend në buzë të greminës dhe shmanga më të keqen. Ne arritëm të dilnim nga recesioni dhe kemi hedhur themelet për të dalë një herë e përgjithmonë nga kriza.”

Nga liderët e tjerë kanë dhënë deklarata për shtyp Evangelos Venizelos, i cili pasi ka përgëzuar fituesin, ka fajësuar Papandreun për përqindjen e vogël të PASOK, duke i rikujtuar atij se nëse socialistët nuk do të ishin përçarë do të ishin partia e tretë.

Fitorja e Syriza-s cilësohet si historike, pasi është hera e parë që prej 4 dekadash nuk fiton një prej dy partive, PASOK dhe Demokracia e Re, të cilat kanë udhëhequr vendin. Shumica e grekëve u kanë thënë jo reformave. Janë më shumë se 60% e votuesve që kanë votuar ato parti që kundërshtonin reformat e ashpra në programin e tyre.

Ndërkohë që ishin rreth 100 mijë emigrantë shqiptarë me shtetësinë greke që kanë të drejtë vote, por sipas korrespondentit Artur Bibe, nuk ka pasur një pjesëmarrje shumë të madhe në këto zgjedhje nga shqiptarët.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA