Makineria e diktatorit Sllobodan Millosheviç më 14 dhjetor të 1998 kishte vrarë 6 të rinj serbë në qytetin e Pejës, përkatësisht në lokalin “Panda”. Këto të dhëna shokuese ditë me parë i bëri publike vetë zv/kryeministri i parë i Serbisë, Aleksander Vuçiç.

Për këtë ngjarje, policia serbe kishte akuzuar 5 të rinj shqiptarë, të cilët i kishte mbajtur në burg përgjatë një viti. Tani, kur vetë shteti serb po nxjerr në dritë të vertetën, dy prej 5 të akuzuarve shqiptarë të asaj kohe thonë se do të ndjekin çdo rrugë ligjore për të paditur shteti serb.

“Serbia nuk do ta ketë lehtë me ne. Do të kërkoj dëmshpërblim moral dhe material për të gjitha torturat që më janë bërë”, thotë ish-i akuzuari Agron Kollçaku.

Duke treguar për torturat çnjerzore që kishin përjetur gjatë qëndrimit në burgjet serbe, Agroni thotë se çfarëdo dëmshpeblimi me para s’i bën të harrojë vuajtjet, por megjithatë ata do të vazhdojnë me proçedurat.

“Më kanë rrahur me shkop bejsbolli. Më kanë rrahur deri sa më ka rënë të fikët. Më kanë hedhur ujë dhe përsëri ka vazhduar tortura”, tregon ai.

Edhe Vllaznim Përgjegjaj thotë se kjo çështje nuk do të mbyllet vetëm me një deklarim publik të shtetit serb. Rrjedha e ngjarjes për të ende ështe e kthjellët, ndërkohë që traumat ai i ka ende në trup dhe mendje.

“Ma kanë thyer këmbën, më kanë prerë hundën me thikë. Të burgosurve të tjerë iu prisnin veshët, gishtat dhe nuk di çka tjetër”, tregon i shokuar Përgjegjaj.

Dyshimi se të rinjtë serbë ishin vrarë nga vetë makineria e Serbisë kishin nisur që në emergjecën e spitalit. Disa nga punonjësit e asaj kohe tregojnë për presionin që kishin pasur që trupave të mos u afrohej asnjë nga personeli shqiptar.

“Bëmë transportimin e parë me dy trupa, pastaj me tre. Kur i çuam në spital nuk afrohej njeri tek ata”, tregon Hydavehbi Kastrati, shofer i autoambulancës që kishe bartur viktimat në Prishtinë.

Pas vrasjes së 6 të rinjve serbë dhe plagosjes së disa të tjerëve në lokalin “Panda” në Pejë, makineria serbe kishte aktivizuar orën policore në atë kohë.

Pas kësaj ngjarjeje, shumë qytetarë ishin likujduar në mënyrë të mistershme, përfshirë edhe rastin e vrasjes së doktorit Nuredin Çeku, më pas të doktorit Xhevdet Gashi dhe shumë civilëve shqiptarë, dosjet e të cilëve ende janë të mbyllura për familjarët dhe opinionin kosovar.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA