Policia spanjolle tha të premten se kishte sekuestruar 11 ton kanabis dhe kishte arrestuar 55 persona në të gjithë vendin, pas një operacioni të gjerë që kishte si objektiv një rrjet marokenësh të trafikut të drogës.
Autoritetet spanjolle kanë bërë të ditur se operacioni kishte nisur që para dy vjetësh. Polica tha se gjatë kontrolleve në banesat e personave të arrestuar janë gjetur edhe rreth 2 milionë euro, si dhe disa armë zjarri.
Bastisjet u kryen në të gjithë vendin, duke përfshirë Madridin, Barcelonën, Malagan, si dhe në Ceuta që ndodhet në bregdetin e Mesdheut në Marok.
Mes 55 personave të ndaluar janë edhe drejtuesit e rrjetit të drogës. “Kjo është një bandë kriminale, sipas kritereve që përcaktojnë këtë lloj organizate të vendosura nga Bashkimi Europian. Ajo kishte një strukturë hierarkike, kishte pastruar para dhe u përpoq të korruptonte institucionet”, shkruhej në një deklaratë të policisë spanjolle.
Mendohet se banda kishte si qëllim shpërndarjen e hashashit në të gjithë Europën, kryesisht në Britani, Francë, Itali dhe në Holandë. Mediat spanjolle shkruajnë se droga transportohej në Spanjë me anë të skafeve apo e fshehur brenda kamionëve të mëdhenj. Në hetime kanë marrë pjesë edhe policia marokene dhe ajo franceze.
Mediat shkruajnë se Spanja është kthyer në një portat kryesore në Europë për narkotikët, ku shfrytëzohet afërsia e saj territoriale me veriun e Afrikës dhe lidhjet e ngushta me ish-kolonitë spanjolle në Amerikën Latine.
Top Channel