
Policia në Meksikë ka arrestuar një prej drejtuesve të bandës kriminale të akuzuar për vrasjen e 43 studentëve në Iguala në muajin shtator të vitit të kaluar.
Autoritetet meksikane kanë bërë të ditur se personi i arrestuar, Felipe Rodriguez ka urdhëruar anëtarët e bandës “Guerreros Unidos” të djegin trupat dhe veshjet e viktimave për të fshehur provat.
Felipe Rodriguez, i njohur edhe si “El Cepillo” dhe “Brush”, u arrestua natën e së enjtes në qytetin e Jiutepec. Ndërkohë, Prokurori i Përgjithshëm e kishte identifikuar atë si anëtar të bandës që në muajin nëntor.
Më shumë se 90 persona janë arrestuar deri tani nga policia lokale në jug-perëndim të shtetit të Guerrero-s në lidhje me masakrën ndaj studentëve. Anëtarët e bandës pranuan vrasjen e 43 studentëve dhe djegien e trupave të tyre, pasi atyre i ishte thënë se ata i përkisnin një bande rivale.
Hetuesit akuzuan kryetarin e Bashkisë dhe gruan e tij se kishin urdhëruar policinë për t’i dorëzuar studentët te anëtarët e bandës kriminale.
Të afërmit e studentëve të vrarë shprehen se nuk do të heqin dorë nga shpresa për t’i gjetur të gjallë, megjithëse provat çojnë në vrasjen e tyre. Ata kanë kërkuar nga autoritetet nisjen e një hetimi për rolin e ushtrisë meksikanë në zhdukjen e studentëve.
Top Channel