Skenarët e mundshëm për Greqinë, paralajmërohet fitorja e së majtës

02/01/2015 00:00

Greqia po përjeton për herë të dytë brenda tre vitesh një fushatë elektorale që zhvillohet përtej kufijve të saj. Mediat e huaja, sidomos ato gjermane përsëri debatojnë duke mbrojtur ose kritikuar Radikalet e Majtë grekë që sipas gjasave do të qeverisin vendin pas zgjedhjeve të parakohshme të 25 janarit.

Sipas gazetës ekonomike gjermane “Handesblat” Berlini nuk bëhet tashmë fort merak për një falimentim të Greqisë dhe nëse ky ndodh rreziku i fenomenit domino tani është eliminuar. Por nga ana tjetër përfaqësues të Kristianodemokrateve që intervistohen nga kjo gazetë theksojnë se “Grexit” (Greece Exit), dalja e Greqisë nga Eurozona, do të ishte një eksperiment me përfundim të pasigurtë për të gjithë.

Nga ana tjetër “Der Spiegel” u jep zemër dhe njëkohësish të drejtë grekëve që po shkojnë në zgjedhje të parakohshme. “Kush është i pushtetshmi në një demokraci? Populli apo kapitali? Kjo as që nuk kërkon përgjigjje”, komenton gazeta që thekson se demokracia ndryshon nga diktatura nëpërmjet ekzistencës së zgjedhjeve.

Në sfondin e rënies së euros në nivelin më të ulët të 29 muajve të fundit dhe rritjes së dollarit në nivelin më të  lartë të 9 viteve të fundit, e përditshmja “Die Ëelt” zbulon se grekët vetëm në dhjetorin e kaluar, pas disa muajsh të rritjes së depozitave kanë tërhequr nga bankat mbi 2.5 mld euro, një fenomen që po ndiqet me vëmendje nga institucionet vendase financiare, megjithëse nuk është vënë re një dyndje e klientëve në banka.

Nga ana tjetër britanikja “Telegraph” duke analizuar krizën greke thekson se një dalje e Greqisë nga Eurozona do të ishte një shpërthim gjigant me pasoja të mëdha, por edhe qëndrimi në të do të ishte një vdekje e ngadaltë që do mbaronte me ngashërime.

Ndersa francezja “Liberation” komenton se Syriza është një e majtë radikale që sa më shumë po i afrohet pushtetit, aq më shumë po bëhet më e logjikshme.Ajo dhe lideri i saj Tsipras nuk kërkojnë daljen e Greqisë nga Eurozona dhe as të veprojnë në mënyrë të njëanshme me paktet e nënshkruara me huadhënësit, duan vetëm të lehtësojnë masat për popullin dhe borxhin e vendit që nuk lejon zhvillimin e mëtejshem të ekonomisë, pasi më shumë se 5 përqind e Prodhimit të Brendshëm Bruto të Greqisë, thotë gazeta, shkon vetëm për të shlyer normat e interesit të huave, kur europianët paguajnë vetëm 2 përqind.

Pavarësisht frikës për destabilizim të ekonomisë në “Kontinentin e Vjetër” nga zhvillimet në Greqi është e dukshme tendenca gjithnjë në rritje e europianeve që shohin me pozitivitet kundërvënien e Syrizas me politikat e kursimit ndaj dhe një pjesë e mirë e shtypit të majtë europian u bën thirrje konsevatorëve të fillojnë të mësohen me idenë e ardhjes në fuqi të Radikalëve të Majtë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA