“Kanë kryer një test sekret në vitin 2020”, inteligjenca amerikane: Kina po zhvillon një arsenal të ri bërthamor Pas mbylljes së tragjedisë njerëzore në tragetin “Norman Atlantic”, mes Italisë dhe Greqisë nisi një përplasje në lidhje me faktin se ku do shkonte trageti që ndodhej në ujërat shqiptare e që u mbyll me “fitoren” e Romës zyrtare.
Burime zyrtare thonë për Top Channel se deri në mesditë pranë anijes ndodheshin 4 anije shqiptare, 5 italiane dhe dy greke. Dy mjetet greke ishin një rimorkiator dhe një anije ushtarake.
Qeveria italiane i bëri kërkesë zyrtare Shqipërisë për të tërhequr tragetin drejt Brindizit. Kjo u konfirmua dje nga ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli.
“Unë jam informuar në rrugë diplomatike nga ambasada italiane, por edhe në rrugë të tjera ushtarake që Prokuroria e Barit ka hapur çështje dhe i ka kërkuar në mënyrë zyrtare qeverisë shqiptare që të mundësohet kthimi i anijes në bregdetin italian, në mënyrë që ata të fillojnë me investigimin e tyre”, deklaroi Kodheli.
Dy rimorkiatorët shqiptarë, “Iliria” dhe “Adriatik”, mbanin të lidhur tragetin. “Iliria” ishte kontraktuar nga pronarët e tragetit për të tërhequr objektin e braktisur, ndërkohë që zyrtarisht nga pala shqiptare ishin dërguar për ndihmë të operacionit edhe rimorkiatori “Adriatik” dhe luftanijet “Butrinti” dhe “Iliria”. Ministria e Mbrojtjes saktësoi se rimorkiatori tjetër nuk kishte lidhje zyrtare me flotën shqiptare.
E ndërsa “Iliria” mbante të kapur tragetin, prokurori i Barit, La Volpe, që ka hapur edhe hetimet e konsideroi këtë një akt në kufijtë e veprës penale, pasi anija nuk duhej prekur duke patur frikë për prishjen e provave. Dyshohet se në hangarë ka shumë viktima dhe se anija ishte përdorur edhe për trafik klandestinësh.
“Askush nuk mund të marrë në zotërim anijen pa kryer një krim i cili është i ndëshkueshëm. Këtë e them pasi jemi sinjalizuar nga marina se në vendin e ngjarjes ndodhen rimorkiatorë me qëllime që ende nuk i dimë, por që nuk duam të largojnë tragetin nga aktiviteti ynë hetimor”, deklaroi prokurori Giuseppe Volpi.
Por incidenti u zgjidh shpejt, sepse kavot e rimorkiatorit shqiptar u shkëputen duke shkaktuar edhe dy viktimat mes marinarëve shqiptarë të rimorkiatorit “Iliria”.
Prokuroria italiane kërkoi menjëherë më pas sigurimin e anijes nga rimorkiatorë italianë, ndërkohë që burimet thonë se një rimorkiator tjetër po italian, rreth 150 metra i gjatë, ishte nisur nga Brindizi në ujërat shqiptare për ta tërhequr anijen e braktisur po drejt Brindizit.
Sipas ligjeve ndërkombëtare, meqënëse incidenti ka ndodhur në ujëra ndërkombëtarë, të drejtën e marrjes së anijes dhe hetimeve e kanë autoritetet e vendit me flamurin e të cilës përfaqësohej anija. Që në këtë rast është ai italian.
Por meqënëse anija ndodhej në ujëra shqiptare, vendimi i vështirë se ku duhej të dërgohej objekti i braktisur i ka takuar palës shqiptare, e cila duket se ka vendosur që “Norman Atlantic” të ikë në Itali, megjithëse rimorkiatori “Iliria” ku ndodhi edhe aksidenti me dy marinarët shqiptarë ishte kontraktuar për të kundërtën.
Top Channel