Ndërsa politika është përfshirë në akuza lidhur me çmimin e ri të energjisë, në mesin e debatit politik, ERE ka bërë publik një studim të vetin mbi efektet që çmimi i ri ka tek familjet.
Sipas Enti Rregullator rritja e çmimit të energjisë nuk prek 75 përqind të abonentëve familjarë, por vetëm 30.5 për qind të tyre. Por ku bazohet ky pretendim i institucionit që rregullon tregun e energjisë?
Në një analizë të bërë mbi efektin që ka ndryshimi i çmimeve tek familjarët, Enti përjashton nga numri i të prekurve 392 mijë e 800 familjet që konsumojnë nga 0 deri në 200 kWh energji në muaj, duke e klasifikuar këtë konsum si abuziv. Kjo pasi ky institucion thotë se në bazë të një studimi të hollësishëm që ka kryer, konsumi mujor edhe për familjet e varfra shkon minimalisht 210 kilovat, nëse nuk ka abuzime.
Rrjedhimisht në analizë enti përllogarit si të prekur nga rritja e çmimit vetëm familjet që konsumojnë nga 200 deri në 430 kWh energji në muaj. Sipas të dhënave zyrtare, numri total i familjeve në këtë fashë është rreth 309 mijë në gjithë vendin.
Sipas Entit, nga këto familje qeveria ka kompensuar drejtpërdrejtë për rritjen e çmimit 210 mijë prej tyre, të cilat marrin në dorë nga 650 lekë në muaj, ndërsa mbeten të pakompensuar vetëm 99 mijë familje të tjera në rang vendi.
Shmangja e abuzimeve është arsyeja kryesore me të cilën Enti argumento njëhsimin e çmimit në 9.5 lekë. Sipas tij ekzistenca e skemës me dy çmime, që ka qenë deri më tani ka nxitur abuzimet dhe vjedhjen masive të energjisë.
Por a janë të gjitha familjet që e kanë konsumin deri në 200 kilovat orë në muaj, abuzuese të energjisë? Ky është një pretendim i fortë i Entit, i cili me gjasa do të shkaktojë një valë të nxehtë debati politik, për një çështje me ndjeshmëri të madhe publike si ajo e çmimit të energjisë.
Top Channel