Dhjetëra aktivistë po përdorin rrjetet sociale për të kërkuar jetë më të mirë për shqiptarët në Shkup.

“Duam Çair të Pastër” është një faqe në ‘Facebook’ që ka tubuar rreth vetes mbi 5000 qytetarë të pakënaqur nga mungesa e investimeve dhe kushteve elementare për jetë në zonat shqiptare, e veçanërisht komunën e Çairit ku shumica e popullsisë është shqiptare.

Valbona Reka, ideatorja e kësaj faqe, ku qytetarët po publikojnë video dhe foto nga situata e rëndë në Çair, thotë se Shkupi është qytet me dy fytyra, njëra fytyrë është ajo e qytetit modern, ku vazhdimisht diçka ndërtohet, kurse fytyra e dytë e Shkupit është ajo ku banojnë kryesisht shqiptarët dhe ku e ke ndjenjën se e kaluara e ka ngushtë që të depërtojë drejt të sotmes.

“Dallimet janë shumë evidente, shumë të qarta. Nëse vetëm kaloni në anën tjetër të lumit në komunat maqedonase, do të shikoni progres, kurse në komunën tonë do të shihni një regres, çdo gjë ka stagnuar. Në infrastrukturë nuk investohet. Ne akoma flasim për rrugë me gropa, me baltë, për rrugë të pandriçuara, për lagje pa kanalizim”, shprehet aktivistja, Valbona Reka.

Mes këtyre dy fytyrave që dallojnë aq sa të duket se nuk ke të bësh me të njëjtin qytet, rrjedh lumi Vardar. Dhe ky lum është kufiri ujor që ndan rrjedhën e jetës së shkupjanëve shqiptarë dhe atyre maqedonas.

“Për të bërë një krahasim ja një foto si është jeta në pjesën ku jetojmë ne shqiptarët, këtë fotografi e kam bërë mbrëmë, dhe ja dhitë duke shetitur nëpër Cair. Për fat të keq dallimi është evident dhe dëshmitë janë gjithandej. Kamera juaj nuk ka nevojë të futet nëpër lagje brenda por vetëm ti shohim ditën prej jashtë. Dallimet kanë qenë që nga koha e komunizmit por për fat të keq i kemi edhe sot dhe kushtet ku jetojnë shqiptarët janë shumë të rënda”, tha Bujar Idrizi, aktivist.

Aty ku fillon pjesa e vjetër e Shkupit ndodhet edhe përmendorja e Skënderbeut. Heroi ynë kombëtarë tani nuk është i vetmuar si para disa viteve: disa metra përballë tij qëndrojnë përmendoret e dy heronjve të popullit maqedonas, të ngritura në kuadër të projektit monoetnik “Shkupi 2014”, që ka thelluar edhe më tepër ndarjet mes shqiptarët dhe maqedonasve.

“Shkupi 2014 vetëm e ka konfirmuar politikën diskriminuese që me dekada e kanë udhëhequr maqedonasit kundrejt shqiptarëve. Me Shkupin 2014 politika maqedonase po pretendon që të futet edhe në pjesën tonë”, shtoi Idrizi.

 Nga gjitha lagjet e Shkupit shqiptarë më problematike janë Serova dhe Gazi Baba. Shenjë njohëse e këtyre lagjeve janë rrugicat e ngushta dhe shtëpitë e ngjeshura njëra pranë tjetrës.

“Gjatë kohës së monizmit, në periudhën 50 vjecare nuk është investuar aspak në lagjet shqiptare, por edhe pas pavarësimit të Maqedonisë, këto 25 vite vazhdon i njejti diskriminim dhe nuk ndahen mjete për zhvillimin urbanistik dhe për zhvillimet tjera në lagje shqiptare” deklaroi gazetari Bekim Buci.
Lagjet e Shkupit shqiptarë kryesisht bien në territorin e Komunës Çair. Këtu qytetarët prej moti ankohen se ngushtica në të cilën ata jetojnë bëhet gjithnjë e më e ngushtë nga ndërtimet e reja që gëlltisin ato pakë hapësira të gjelbërua.

“Do të ballafaqohemi me probleme tjera siç është mungesa e ujit, rryma, parkingjet. Do të kemi mungesë të shkollave, çerdheve që nuk do të mund ta mbulojnë këtë numër të fëmijëve dhe banorëve që po shtohen. Ne bëmë disa statistika dhe me këto ndërtime, numri i banorëve nga 70 mijë mund të arrijë në 100 mijë” u shpreh Reka.

Në pjesën shqiptarë të Shkupit ndodhet edhe Teatri Shqiptar që rindërtohet nga e para e që thuhet se do jetë shumë më i bukur se ai i dikurshmi. Por megjithatë, ai do mbetet aty ku ishte edhe më parë: pranë tregut më të madh të gjelbër të Shkupit të quajtur ‘Bit Pazar’.

Intelektualët dhe aktivistët shqiptarë, thonë se dy pamjet e Shkupit të sotëm ia ka humbur fytyrën vërtetë kryeqendrës së Maqedonisë. Ata dyshojnë se dikush ka vendosur t’ia shlyej atij fytyrën shumetnike dhe dëshiron t’ia jep dukjen që nuk e ka pasur kurrë, vetëm atë të maqedonasve etnik.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA