
Një aksident rrugor ka ndodhur pasditen e së hënës në qytetin e Korçës, ku si pasojë ka mbetur i plagosur një i mitur.
Lajmin e bëjnë të ditur burime policore lokale, sipas të cilave ngjarja ka ndodhur në unazën e qytetit, në lagjen numër 6 të tij, ku janë përplasur dy automjete.
Sipas burimeve, i mituri i lënduar po udhëtonte në një mjet tip “Golf” me targë “AA 356 HV”, që teksa kthehej në banesë është goditur nga vetura tjetër.
Autoritetet vendore saktësojnë se fëmija, i identifikuar me inicialet A.L, ka marrë plagë pasi në momentin e përplasjes ndodhej në sediljen e parë të pasagjerit.
Sipas të dhënave, ai është transportuar menjëherë në spital ku po mer mjekimin e nevojshëm, ndërsa nga bluzat e bardha bëhet e ditur se ai është në gjendje të rëndë.
Ndërkaq, policia ka shoqëruar drejtuesin e mjetit tjetër, me targë “AA 215 GN” dhe po punon për zbardhjen e dokumentimin e plotë të ngjarjes.
Top Channel