Rusia, luftë spiunazhi me vendet e BE

17/11/2014 00:00

Rusia ka dëbuar një numër diplomatësh polakë në një lëvizje “këtë për atë” pasi i dërguari rus në Varshavë u dëbua nga autoritetet lokale.

Katër diplomatëve të akredituar në Moskë iu dhanë 48 orë kohë për t’u larguar, raporton televizioni publik polak.

Ndërkohë, më herët gjatë muajit, Rusia u përfshi në një përplasje spiunazhi me Gjermaninë, duke dëbuar një diplomat nga vendi si kundërpërgjigje të një veprimi analog të kryer më parë nga Berlini.

Polonia, një ish-shtet i bllokut lindor, u bashkua me NATO-n në vitin 1999 dhe më pas me Bashkimin Evropian në vitin 2004.

Autoritetet e këtij vendi deklaruan fillimisht se një diplomat rus ishte dëbuar nga vendi pasi kishte vendosur kontakte me një kolonel të ushtrisë polake, që u arrestua muajin e kaluar nën dyshimin e spiunazhit.

Ato shtuan më vonë se diplomati punonte për shërbimin sekret ushtarak rus, GRU. Gazeta polake “Rzeczpospolita” raportoi javën e kaluar se koloneli dyshohej se merrte para në këmbim të informacioneve mbi programet ushtarake të Polonisë.

Ndërkohë, Ministria e Jashtme ruse deklaroi të hënën se diplomatët polakë dëbohen për “aktivitete që bien në kundërshtim me statusin e tyre”.

Nga ana tjetër, shefi i diplomacisë polake, Grzegorz Schetyna deklaroi se qeveria e tij e konsideron tashmë çështjen të mbyllur.

Në fundjavë, një diplomate që punonte në ambasadën gjermane në Moskë u dëbua nga vendi pasi një diplomat rus në Bon kishte patur të njëjtin fat.

Top Channel