
Forcat ushtarake irakene deklarojnë se kanë dëbuar militantët e Shtetit Islamik nga zona e rafinerisë më të madhe të naftës në vend.
Deklarata vjen një ditë pasi zyrtarët deklaruan se kishin marrë nën kontroll qytetin e afërt Baixhi, i cili që prej qershorit ishte nën sundimin e militantëve.
Komandanti i lartë i ushtrisë amerikane, gjenerali Martin Dempsey ka mbërritur ndërkohë në Irak për një vizitë të paparalajmëruar.
Bëhet fjalë për vizitën e tij të parë që kur koalicioni i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara nisi fushatën e sulmeve kundër militantëve islamikë.
Mbi 1 mijë forca amerikane joluftarake janë dërguar në Irak për të ndihmuar në stërvitjen e ushtrisë kombëtare. Presidenti Obama ka autorizuar gjithashtu dërgimin e 1.500 të tjerëve për të mbështetur trupat vendase.
Rafineria e naftës pranë qytetit Baixhi, rreth 200 kilometra në veri të Bagdadit, prodhon thuajse çerekun e naftës irakene.
Guvernatori i një province lokale deklaroi se forcat e rregullta ndodhen në hyrjen e rafinerisë, ndërsa një televizion bëri të ditur se ato tashmë kanë hyrë brenda perimetrit.
Dëbimi i tërësishëm i militantëve të ISIS nga qyteti Baixhi dhe rafineria do t’u jepte forcave irakene mundësinë e ndërprerjes së të gjitha kanaleve të furnizimit për ekstremistët.
Top Channel