Samiti i G20, nga ekonomia tek Ukraina

14/11/2014 00:00

Samiti i G20 pritet të japë një “shfaqje” mes liderëve të Perëndimit dhe Presidentit rus, Vladimir Putin, në nisjen e tij ditën e shtunë në Australi, pas raportimeve të fundit se trupat ruse gjenden tashmë në lindje të Ukrainës.

Ukraina akuzon Rusinë se ka dërguar ushtarë dhe armë në ndihmë të rebelëve separatistë në lindje, për të nisur një ofensivë të re në konfliktin që ka shkaktuar mbi 4000 viktima.

Kryeministri britanik David Cameron ka dënuar veprimet e Rusisë si të papranueshme, këtë të premte, duke paralajmëruar se ato mund të shtyjnë drejt sanksioneve më të rënda nga SHBA dhe BE.

“Nëse Rusia ndërmerr hapa pozitive në lidhje me lirini dhe përgjegjshmërinë e Ukrainës, atë do t’i lehtësojmë sanksionet apo do t’i heqim, por nëse Rusia vazhdon t’i përkeqësojë gjërat, atë do t’i shtojmë ato, është shumë e thjeshtë”, tha Cameron për reporterët në Canberra.

Rusia mohon të ketë dërguar trupa dhe tanke në Ukrainë, ndërsa në një intervistë për agjencinë Itar-Tass, Putin tha se sanksionet kanë goditur Rusinë, por edhe ekonominë globale. Ai tha se, gjithsesi, nuk do ta diskutojë këtë çështje në samitin e G20, pasi “është e pakuptimtë”. Atij nuk iu bë asnjë pyetje mbi Ukrainën.

Liderët e G20 në Brisbejn do të fokusohen në rritjen e ekonomisë botërore, qëndrueshmërinë e sistemit bankar global dhe heqjen e pengesave tatimore për kompanitë gjigante multinacionale.

Por, duke qenë se shumë prej axhendës ekonomike janë përmbushur dhe një marrëveshje për ndryshimet klimatike është nënshkruar në Pekin, mes SHBA dhe Kinës, atëherë shqetësimet e sigurisë po dalin në qendër të vëmendjes.

Ukraina nuk ishte në fokusin kryesor gjatë samiteve në Azi këtë javë, tha zv/këshilltari amerikan për Sigurinë Kombëtare, Ben Rhodes, por Presidenti Barack Obama e ngriti këtë çështje me Putinin, kur të dy morën pjesë në forumin për Bashkëpunimin Ekonomik Azi-Paqësor në Kinë.

Obama do të mbërrijë të shtunën në Brisbejn, ndërsa do të diskutojë mbi Ukrainën me disa liderë kryesorë, përfshi Kancelaren gjermane Angela Merkel, Presidentin francez Francois Hollande, si dhe kryeministrin britanik Cameron.

Ndërkaq, mësohet se ka pasur thirrje ndaj Australisë për të mos lejuar Putinin të marrë pjesë në samit, pas veprimeve të Rusisë në Ukrainë dhe rrëzimit të fluturimit “MH17” nga rebelët rusë, por konsensusi ka dominuar mbi këto zëra.

Raportimet e fundit bëjnë të ditur se edhe një kolonë anijesh luftarake ruse ka mbërritur këtë javë në ujërat ndërkombëtarë në veri të Brisbejnit, një tjetër çështje “tensionuese”, por që kryeministri Tony Abbott tha se kjo gjë është e pazakontë por jo e paprecedentë për marinën ruse, që të jetë deri në këto ujëra në jug.

“Mos harrojmë se Rusia ka qenë më këmbëngulëse ushtarakisht gjatë kohëve të fundit. Ne shohim, fatkeqësisht, një këmbëngulje të fortë ruse në Ukrainë. Rusia do të ishte shumë herë më tërheqëse, nëse do të aspironte për të qenë një superfuqi për paqen dhe lirinë e prosperitetin, në vend që të përpiqej të rikrijonte lavdinë e humbur të Carizmit apo të ish-Bashkimit Sovjetik”, tha Abbott.

Merkel, duke folur nga Aucklandi, hodhi poshtë zërat për ndonjë kërcënim të shfaqur nga anijet luftarake, por iu bashkua liderëve që flasin kundër Putinit përpara mbërritjes, më vonë, në Brisbejn.

“Ajo që më shqetëson mua më shumë është integriteti territorial i Ukrainës që po shkelet dhe marrëveshja e Minskut që nuk po zbatohet”, tha ajo referuar armëpushimit.

Top Channel