Liderët e G20-ës mblidhen në Brisbejn

14/11/2014 00:00

Liderët botërorë po mbërrijnë në Australi për samitin e grupit të vendeve të G20 që mbahet këtë fundjavë në qytetin e Kuinslendit, në Brisbejn.

Samiti dyditor, ku do të marrin pjesë mes të tjerësh edhe liderët e Shteteve të Bashkuara, Kinës dhe Rusisë, do të fokusohet në promovimin e rritjes ekonomike.

Kryeministri australian Tony Abbott deklaroi se një temë që duhet diskutuar është ajo e krijimit të vendeve të reja të punës, identifikimi i mashtrimit me taksat dhe përforcimi i ekonomisë globale.

“Gjashtë vjet më parë, impakti i krizës financiare globale tronditi gjithë botën. E teksa ato vite tashmë janë pas, ne ende duhet të luftojmë me trashëgiminë e tyre të borxheve dhe papunësisë”, shkroi Abbott në një artikull.

“Sfida për liderët e G20-ës është e qartë, të nxisin rritjen, krijimin e vendeve të punës dhe të forcojnë qetësinë financiare. Ne duhet të nxisim kërkesën për të shmangur deflacionin që kërcënon ekonomitë më të mëdha të Evropës”, vijoi më tej Abbott.

Tensionet me Rusinë mbi çështjen e Ukrainës pritet të jenë gjithashtu pjesë e bisedimeve, ndërkohë që aktivistët e shoqërisë civile kërkojnë edhe trajtimin e ndryshimit të klimës.

Në Brisbejn, punonjësve të qeverisjes vendore u është dhënë një ditë pushim për shkak të kufizimit të lëvizjes që janë vendosur në qytet. Të paktën 13 liderë botërorë pritet të mbërrijnë në qytet këtë të premte.

Rreth 6 mijë trupa policore do të vendosen për ruajtjen e sigurisë, ndërkohë që 27 grupeve të ndryshme u është dhënë e drejta për të protestuar në zona të caktuara, me mijëra persona që pritet të marrin pjesë në to.

Top Channel