
Një hetim zyrtar i zhvilluar në Shtetet e Bashkuara sugjeron se agjentët e Shërbimeve Sekrete nuk reaguan në kohën dhe në mënyrën e duhur ndaj rasteve të shkeljes së perimetrit të Shtëpisë së Bardhë.
Një person i armatosur me thikë arriti të kalonte rojet dhe të hynte në selinë presidenciale për shkak të komunikimit të varfër mes agjentëve dhe një seri gabimesh të bëra prej tyre, thotë raporti hetimor.
Në shtator, Omar Gonzales kapërceu gardhin, kaloi me vrap rojet dhe u ndalua vetëm kur kishte hyrë brenda asaj që supozohet të jetë godina më e ruajtur në Amerikë.
Shefja e Shërbimeve Sekrete, Julia Pierson dha dorëheqjen pas këtij rasti dhe të tjerëve të verifikuar më parë. Zbulimet e fundit mbi incidentin e shtatorit janë pjesë e një hetimi të gjerë mbi gabimet e agjentëve të sigurisë, të udhëhequr nga Departamenti i Sigurisë së Brendshme.
Sipas “New York Times”, një përmbledhje e hetimit që u publikua natën e së enjtes fajësonte për këtë ngjarje performancën dhe organizimin e dobët teknik mes agjentëve.
Në raport vihen në dukje një seri gabimesh, që sugjerojnë mungesën e stërvitjes, keqmenaxhimit të stafit dhe mungesën e komunikimit mes pjesëtarëve të tij.
Dokumenti përshkruan me detaje se si agjentët kishin çuar dëm një seri mundësish për të ndalur Gonzales, që nga kapërcimi i gardhit e deri në brendësi të shtëpisë.
“Gonzales kapërceu rrethimin në një vend ku një agjent mungonte, ndërkohë që shumë oficerë të tjerë të sigurisë nuk kishin një pamje të qartë të tij për shkak të një projekti ndërtimi”, thotë raporti.
Top Channel